LDK-ja do t’ia kthejë Gjakovës shpresën
Gjakovë- “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do t’ia rikthejë Gjakovës shpresën duke e qeverisur me përkushtim”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë një tubimi parazgjedhor në nëndegët 7 dhe 8 të kësaj partie në Gjakovë, duke u shprehur i bindur se qytetarët e Komunës së Gjakovës kësaj radhe do të vendosin për rikthimin e alternativës qeverisëse demokratike dhe të përgjegjshme.
“Kam ardhur të kërkoj përkrahjen për programin qeverisës të LDK-së, kandidatit Luan Gola dhe kandidatëve për këshilltarë komunalë, sepse jam i bindur që në Gjakovë duhet të ndodhin ndryshime, e ato ndryshime po ndodhin dhe Gjakova po bëhet sërish e Lidhjes Demokratike. Ne si LDK nuk kemi interesa të veçanta që ta fitojmë Gjakovën, por jemi të bindur se qytetarët e Gjakovës dhe krejt Kosovës përfitojnë nga qeverisja e LDK dhe synimi ynë është të bëjmë qeverisje në të cilën nuk do të kemi pabarazi, varfëri, papunësi e diskrimimin, por duhet të ketë barazi, mirëqenie, punësim e zhvillim”, tha kryetari Mustafa.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh i bindur se Gjakova nuk e meriton qeverisjen që e ka aktualisht.
“Gjakovës i duhet një kryetar dhe një qeveri që e ka kulturën, edukatën dhe traditën e mirë të Gjakovës”, tha Mustafa.
Duke shprehur bindjen se banorët e komunës së Gjakovës tashmë kanë vendosur t’ia besojnë qeverisjen e ardhshme katërvjeçare LDK-së, Kryetari Mustafa theksoi se përgjegjësinë për qeverisjen e mirë të Gjakovës e merr krejt LDK-ja.
“Synimet tona nuk fillojnë as nuk përfundojnë në Gjakovë. Ne synojmë ta fitojmë përkrahjen e qytetarëve në të gjitha komunat e Kosovës. Ne këtë përkrahje do ta marrim me përgjegjësi dhe të fillojmë periudhën e ndryshimeve në Kosovë, për një qeverisje demokratike të vendit pas zgjedhjeve nacionale të vitit të kaluar”, tha kryetari Mustafa.
Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, ndërkaq theksoi se në krye të Gjakovës janë njerëz që nuk dinë si krijohen vendet e punës, si krijohen fabrikat. e
“Prandaj, mendoj se zgjidhja më e mirë për Gjakovën është qeverisja nga një parti e madhe, e njerëzve të ditur dhe me duar të pastra. LDK do të jetë lidhja e Gjakovës me krejt Kosovën. Gjakova do ta ketë përkrahjen e LDK-së, e cila do të jetë partia më e madhe në Kosovë dhe do ta qeverisë vendin”, tha Sahatçiu.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës, Luan Gola, tha se oferta për qeverisjen e Gjakovës është alternativa më e mirë.
“Gjakova në këto dy mandatet e qeverisjes ka përjetuar shumë. Ne kemi ngecje në arsim, ekonomi dhe anashkalim vlerash të qytetit e komunës”, tha Golaj, sipas të cilit, oferta e tij është platformë për ndryshimin e gjendjes në këtë komunë.
“Platforma jonë ka dy shtylla: mirëqeverisjen dhe zhvillimin. Sepse qytetarët e Gjakovës e dinë që paratë dhe taksat e tyre këto dy mandate janë menaxhuar keq. LDK e ka prioritet regjistrimin e pronës publike, për ta shpëtuar nga gjahu i keqbërësve. Fondi i garancive bankare për të rinj do ta pengojë largimin e të rinjve nga Gjakova, duke i mbështetur ata që të fillojnë biznes fillestar”, tha Gola.
Sipas tij, qeverisja komunale nuk ka krijuar ambient për biznes dhe ka larguar investitorët. “Qarshia e Gjakovës na tregon se ka elemente që duan t’ia humbin identitetin Gjakovës, Ne nuk e lejojmë. Ne do ta përkrahim zinxhirin prodhues në bujqësi, do të krijojmë dy qendra grumbulluese të prodhimeve të fermerëve, do ta stabilizojmë infrastrukturën, duke ndërtuar hyrje-daljet e qytetit, duke ndërtuar një rrugë të re transite dhe do t’u krijojmë ambient të sigurt investitorëve të huaj. Por, posaçërisht do të stimulojmë investimet e njerëzve tanë që jetojnë jashtë vendit”, tha Gola.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës, Luan Gola, u shpreh i bindur se komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së në ditën e votimeve nuk do të lejojmë që vota të keqpërdoret, duke u bërë thirrje të gjithë banorëve të komunës së Gjakovës të dalin në zgjedhje më 3 nëntor dhe të vendosin për ndryshimin, duke votuar LDK-në.
Në këtë tubim parazgjedhor u prezantuan edhe kandidatët e këtyre nëndegëve të LDK-së për këshilltarë të Kuvendit Komunal të Gjakovës.