Lekaj: Kemi arritur objektivat tona
Gjakovë- Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës Pal Lekaj, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e partive në koalicion LDD e PSHDK, është takuar me banorë të fshatrave Novosellë të Epërme, Guskë, Devë, Korenicë, Bishtazhin, Marmull, Dol dhe të paralagjes së qytetit Brekoc.
Në të gjitha këto takime, Lekaj u ka rikujtuar banorëve investimet e shumta që komuna ka sjellë në secilin prej këtyre fshatrave, duke i bërë ata fshatra modern dhe të lakmueshëm për të jetuar.
Lekaj ka thënë se i nevojitet vota e këtyre banorëve, për të vazhduar me punë edhe në katër vitet e ardhshme, për të garantuar zhvillim më të madh ekonomik dhe më shumë vende pune.
“Sot e kemi më të lehtë të zhvillohemi së bashku sepse po bashkë kemi arritur objektivat tona dhe po bashkë do të vazhdojmë edhe pas 3 nëntorit”, ka thënë Lekaj./radiogjakova/