Lekaj në Meje, premton nga një të punësuar për çdo familje
Gjakovë- Mbrëmjen e së martës kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës nga rradhët e koalicionit AAK-LDD, Pal Lekaj shoqëruar nga kandidatët për Asamble vizituan fshatin Mejë.
Lekaj para banorëve të pranishëm dhe organizatës “27 Prilli” premtoi se deri më 27 prill 2014, datë e përvjetorit të masakrës së Mejës, do të përfundojnë rreth 60% e punimeve në kompleksin memorial të quajtur “Lëndina e pikëllimit”.
Kandidati i AAK-së shtoi se në këtë fshat do t’i jepet një rëndësi e veçantë edhe bujqësisë. “Në Mejë do të fokusohemi që të ndihmojmë në bujqësi e blegtori, por mbi të gjitha do të kujdesemi që çdo familje të ketë një të punësuar. Për familjarët më konkretisht fëmijët e dëshmorëve dhe martirëve të Mejes që janë në studime ne do të iu japim përparësi në bursa që ndan Komuna”, ka thënë Lekaj.
Ai ka apeluar tek banorët që më 3 nëntor, daten e zgjedhjeve, të votohet programi dhe njerëzit më të mirë që mund të sjellin zhvillim në Gjakovë e që janë në partinë e Ramush Haradinajt./radiogjakova/