Lekaj takon fermerët e komunes së Gjakovës
Gjakovë- Kanidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës ka takaur mesditen e së martës fermerët e komunës së Gjakovës me të cilët ka shpalosur programin e tij katër vjeçar.
Fillimisht, Ismet Isufi, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë ju ka rikujtuar të pranishmëve investimet e komunës në fushën e bujqësisë. Sipas tij, në 6 vitet e fundit janë ndërtuar 45 kilometra kanale për ujitje që kanë mundësuar ujitjen e 5 mijë hektarëve tokë.
Ndërsa Lekaj ka thënë se për ndryshim nga disa tjerë, AAK-ja dhe ai personalisht ju kanë qëndruar pranë fermerëve dhe nuk i takojnë vetëm kur janë zgjedhjet.
“Ne jemi vazhdimisht me ju, ndërsa të tjerët vijnë këtu një herë në 4 vite, atëherë kur duhet t’ua kërkojnë votën duke iu dhënë premtime të rrejshme” ka thënë ai.
Lekaj u tregua i ashpër edhe me Qeverisjen qendrore për të cilët tha se me paratë dedikuar bujqëve kanë blerë makina luksoze.
“Ministri i Bujqësisë para 5 ditësh ju ka takuar dhe ju ka premtuar grande, ndërsa, a e dini se ku kanë shkuar ato mjete – për blerjen e veturave luksoze! Ja kështu ata kujdesen për ju, për ndryshim nga komuna e cila bujqësinë vazhdimisht e ka pasur në epiqendër të interesimit” ka thënë Lekaj.
Kandidati i AAK-së fermerëve ju ka thënë se për çdo person të punësuar do të shpërblehen. “Ju, në fermat e juaja, me investime të reja, mund të punësoni shumë veta. Tashmë janë gjetur fondet dhe unë ju premtoi se për çdo person të punësuar rishtazi, ju do të gëzoni mbështetjen nga komuna në vlerë prej 2 mijë eurosh. Në këtë mënyrë papunësia ka mundësi të zbutet ndjeshëm” ka Lekaj./radiogjakova/