Lekaj tek pensionistët, ju premton mbështetje më të madhe
Gjakovë- Ditën e 17 të fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë e ka nisur me takimin me pensionistët e komunës sonë.
Në takimin e zhvilluar me këtë rast fillimisht kryetari i Organizatës komunale të Pensionistëve në Gjakovë, Ibrahim Rudi ka fol për gjendjen e vështirë të kësaj shtrese të popullatës e cila është shndërruar në kategori sociale, ndërkohë që ka veçuar ligjin për pensionistë i cili, si i tillë çfarë do të prezantohet në Parlamentin e Kosovës është i papranueshëm.
Sipas Rudit, në gjendje të vështirë është edhe Organizata komunale e Pensionistëve e cila nuk ka asnjë burim të garantuar financiar.
Në anën tjetër, kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ju ka kërkuar falje pensionistëve që në mungesë të vijave buxhetore dhe kompetencave të limituara nuk ka mundur të bëjë atë që ka dashur të bëjë për pensionistë gjatë mandatit të kaluar.
Për mandatin e ardhshëm, Lekaj i ka premtuar Organizatës së Pensionistëve në Gjakovë, 5 mijë euro subvencion për mallra dhe shërbime, përkatësisht ndihma për ujë, ngrohje, e të tjera. Pos kësaj nisur nga fakti se Komuna tashmë është aksionar i vetëm i Kosovatransit, Lekaj ju ka premtuar pensionistëve edhe subvencione në fushën e transportit urban./radiogjakova/