.
Published On: Fri, Apr 25th, 2014

Mediat në Shqipëri: Gjakova, qyteti besnik i kombëtares

Share This
Tags

Shqiperia-kombetareTiranë- Vendimi i Adnan Janzuajt për të luajtur me Belgjikën, ka hapur një debat të madh gjithandej ku ka shqiptarë, për refuzimet që po i bëhen kombëtares shqiptare. Mediet në Tiranë, ashtu si dhe në Kosovë, i ka dhënë një rëndësi të veçantë me analiza, intervista dhe shkrime tjera për shqiptarët që po refuzojnë kombëtaren e tyre.

Njëra ndër gazetat më të rëndësishme të sportit në Shqipëri “Sporti Shqiptar”, në numrin e së premtes, ka zbuluar disa fakte interesante për origjinën e lojtarëve kosovare që kanë refuzuar Shqipërinë. Sipas tyre, refuzimet vijnë më tepër nga lindja e Kosovës, ndërsa perëndimi është më afër Shqipërisë.

Qyteti më besnik i kombëtares është Gjakova, që sipas tyre, nuk ka refuzuar asnjëherë kombëtaren. Ata vlerësojnë faktin se Gjakova ka pasur më së shumti lojtarë në kombëtare se çdo qytet tjetër i Kosovës, për më tepër Shqipëria ka pasur edhe dy kapiten nga ky qytet. Për më tepër, asnjë lojtar nga kjo komunë që ka marrë ftesë nga Shqipëria, nuk  e ka refuzuar atë, që është rast unik, pasi secili qytet i Kosovës, ka më shumë se dy refuzime.

“Gjakova numëron shumë lojtarë në kombëtaren shqiptare sesa në atë të Kosovës. Pos kësaj, qyteti në jug-perëndim të Kosovës i ka dhënë Shqipërisë dy kapitenë, Besnik Hasin dhe Lorik Canën, ndërsa pos tyre edhe Amir Abrashi, Blerim Kukeli dhe Shkëlzen Gashi vijnë nga kjo pjesë e Kosovës. Edhe tifozët nga ky qytet, të njohur me emrin “Kuqezinjët e Jakovës”, ishin ndër të parët që deklaruan publikisht se ata do vazhdojnë të përcjellin ndeshjet e kombëtares dhe jo ato të përfaqësueses së Kosovës”, thuhet mes shkrimit.

Ata kanë thënë se gjakovarët, më shumë se çdo qytet tjetër i Kosovës, kanë arritur të mbajnë lidhjet e forta me Shqipërinë, pasi në kohët kur hyrjet-daljet ishin të bllokuar mes dy shteteve shqiptare, në Gjakovë shikohej televizoni shqiptar dhe dëgjohej Radio Kukësi.

Ky shkrim vjen vetëm ditë më pas, kur trajneri i kombëtares, Giani De Biasi ka kërkuar nga lojtarët e kosovarë që luajnë me Shqipërinë të ndjekin shembullin e Lorik Canës, i cili është treguar i vendosur që në fillim që do luajë me Shqipërinë, ndërsa për më tepër, sipas italianit, është dhe patriot, që luan në fushë me shpirt. /radiogjakova/