.
Published On: Sun, Jan 5th, 2014

Mimoza Kusari-Lila – këmbëngulëse dhe ambicioze

Share This
Tags

mimoza-fototKishin kaluar pak orë kur akrepat “kapërcyen” oren dymbëdhjetë të mesnates. Data e dita ishin ndërruar. Kalendari tregonte për diten e 16-të të muajit tetor të vitit 1975, dita shënonte tek e enjtja. Ora po shënonte 02:00 të mëngjesit kur të qarat e një fëmije zunë vendin e zhurmës që vinte nga shiu i madh në dritaret e spitalit. 

Papritur urimet erdhen lum. Adem Kusari, mjek me profesion, u bë baba për herë të dytë. Bashkëshortja e tij, një arsimtare e gjuhës shqipe e lindur në Pejë, që në “qytetin e çiknisë” por edhe atë të “burrit” e njohin si Shanka, kishte sjellur në jetë vajzen e dytë. E para quhej Edita, ndërsa të dyten vendosen ta quanin Mimoza.

“E mbaj mend mirë atë natë. Ka qenë një shi i madh, por kjo na erdhi me bereqet”, thotë me të qeshur Shasine Kusari, nëna e kryetares së tanishme të Gjakovës. Mimoza ishte një fëmijë i shëndetshëm, vetëm se qante shumë, sidomos në vitin e saj të parë.

“Vitin e parë ka qarë shumë. S’kemi guxu me me dal prej shtëpisë. Edhe atëherë kur kemi dal menjëherë na kanë thanë hajdeni se s’po kemi shka me i bo”, tregon baca Adem, i cili thotë se prej tij Mimoza ka trashëguar pamjen, ndërsa energjinë dhe temperamentin e ka prej nënës së saj.

Mimoza pati një fëmijëri sikurse çdo fëmijë tjetër shqiptar në Gjakovë në një kohë të vështirë.  Ajo po rritej. Dhëmbët kishin filluar t’i dilnin e tashmë edhe po hidhte hapat e saj e vetme. Fjalët kishte filluar t’i shqiptonte.  Bashke me rriten e Mimozës, po rritej edhe familja. Kusarët u kompletuan. Familja numëronte gjashtë anëtarë. Edita dhe Mimoza u bën me motren Albanen dhe vëllaun Ylberin. Ky i fundit ishte i “sojit” të Mimozës. I ngjante shumë motrës së dytë.

Mimoza vijoi shkollen në “Mustafa Bakija” njëherë nëpër shtëpi për shkak të ngjarjeve të kohës e më pas në objektin e këtij institucioni, pastaj në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, më pas studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik e në fund për të magjistruar në Amerikë. Si nxënëse e shkollës fillore dhe të mesme u dallua jo vetëm në mësime, por edhe përmes aktiviteve jashtë shkollore.

“Gjatë pothuajse të gjitha viteve shkollore ajo ishte kryetare e klases dhe gjithmonë mundohej të vendoste rregull dhe mirësjellje. Ajo ka qenë e gjithanshme. Në mësime ka qenë e dalluar, por asnjëherë nuk ka munguar në çdo aktivitet të organizuar”, thotë Valon Lluka, një ish-shok klase, sot një nga bashkëpuntoret e saj më të afërt.

Mimoza bënte moderatoren në programet shkollore, merrte pjesë në gara mësimore dhe aktivizohej me organizatat e kohës duke e mbushur kohen e saj. Leximi ishte një shprehi e fituar që në fëmijëri falë nënës së saj, e cila ju blinte me kenaqësi lektyrat të katër fëmijëve.

Prindërit e Mimozës, Adem dhe Shasine Kusari në shtëpinë e tyre

Prindërit e Mimozës, Adem dhe Shasine Kusari në shtëpinë e tyre

Gjithmonë këmbëngulëse

Si e vogël, tek Mimoza u pa edhe një tipar tjetër. Ajo e këmbëngulësisë. Ajo “luftonte” për çdo gjë që mendonte se është më e mira për të. “Gjithmonë ka qenë këmbëngulëse. Edhe prej nesh sa herë ka kërkuar diçka ajo është dashur të realizohet. Si fëmijë, si e rritur Mimoza ka qenë kështu. Edhe asnjëherë s’i ka del keq”, thotë e ëma.

Prindërit e saj numërojnë disa raste kur “po”-ja e vajzës së tyre të dytë ka triumfuar mbi “jo”-në e tyre të “prerë”. Ata ishin kundër që ajo të shkonte në Amerikë, t’i futej politikës, e sidomos të kandidonte për herë të dytë për kryetare të Gjakovë. Sot bija e tyre pos që ka mbaruar studimet në Amerikë dhe është femra më e votuar, ajo është kryetarja e parë femër në Kosovë.

Kjo këmbëngulësi për nënën ishte një sinjal që tregonte se vajza e saj do të bëhej “dikushi”. Kështu mendonte edhe Valon Lluka. “Kam qenë i sigurtë ndoshta qysh në fëmijëri se Mimoza do të arrijë suksese të mëdha. Nuk e kam menduar poziten që tashmë ajo ka, por që do bëhej lidere e sukseseshme e kam menduar duke ja njohur aftesitë e saj dhe duke e parë sesa e vendosur është në synimet e veta”, thotë ai.

Mimoza me Valon LLuken dhe mësuesen e tyre Surrije Brovina

Mimoza me Valon LLuken dhe mësuesen e tyre Surrije Brovina

Larg familjes për shkollim

Mimoza ishte treguar e sukseshme në tetë vjeçare, ndërsa ritmin e mbajti edhe në shkollen e mesme. Në punimin përfundimtar në mbyllje të Gjimnazit ajo ishte ndër më të mirat. Ajo vite më vonë do diplomonte edhe dy herë tjera, por nuk do ishte e shoqëruar nga prindërit.

Në korrik të vitit 1998 në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, Mimoza diplomoi në sistemet e menaxhimit dhe informimit. Në këtë ditë të rëndësishme, prindërit për shkak të gjendjes që po rëndohej dita-ditës në Kosovë e kishin të pamundur të udhëtonin për në Prishtinë. Por, Mimoza nuk u la e vetme. Atë e shoqëruan xhaxhai dhe daja me zonjat e tyre. Pas ceremonisë së diplomimit, daja i kishte përgatitur një mini-festë ku kishte ftuar shoqërinë e mbesës në mënyrë që ta harronte mungesen e prindërve.

Tre ditë para bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe të 24 marsit, saktësisht mëngjesin e 21 marsit, Adem dhe Shasine Kusari mbeten të habitur nga kërkesa e rradhës se vazjës së tyre të dytë. Ajo po kërkonte të shkonte në Shkup, pasi do konkuronte për një bursë për shkollim në Amerikë.

Prindërit u munduan ta bindnin për të kunderten, pasi situata ishte vërtet e tensionuar, por nuk kjo nuk i bëri përshtypje Mimozës. “Më 21 mars me një veturë të markes jugosllave mezi e kam dërguar deri në Stacion të Autobusëve. Aty na thanë që në Prishtinë shkohet vetëm përmes Prizrenit se nga Peja rruga ishte e bllokuar për shkak të luftimeve nëpër fshatra”, kujton i ati i Mimozës.

Ajo kishte mbërritur në Shkup dhe qëndronte në shtëpinë e një kushëriri nga ana e së ëmes. Kishte konkuruar dhe ishte futur në intervistë siç kërkohej. Tashmë duhej të priste rezultatin. Në një telefonatë babai e kishte këshilluar të mos kthehej por të qëndronte atje për pak kohë. Ata nuk e dinin se biseda e tyre e ardhshme telefonike nuk do ishte mëngjesin e ardhshëm, por pas tre muajsh, ndërsa do ritakoheshin pas gati tre vitesh.

“Pas bomardimeve lidhjet telefonike u shkëputen, kështu edhe ne s’kishim kontakte më me Mimozen. Nuk kishim asnjë lajm nga ajo dhe as ajo nga ne”, tregon Ademi. Ndërkohë që familja e Mimozës për shkak të luftimeve tashmë ishte zhvendosur në shtëpinë e vëllaut të Ademit, Mimoza kishte marrë përgjigje pozitive.

Ajo ishte fituese e bursës Ron Brwën nga Departamenti i Shtetit, e cila i mundësoi asaj që të magjistrojë për Administrim biznesi në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku në 2001 u specializua në e-biznes.

Derisa po kalonte në një nga rrugët e Shkupit, Mimoza vërejti një grua dhe një burrë të cilët nuk po merreshin vesh mes vete. Shkak për këtë ishte gjuha. Gruaja fliste anglisht, ndërsa zotëriu shqip. Ajo vendosi t’i ndihmonte pasi anglishten e  zotëronte në mënyrë perfekte. Gruaja ishte gazetare e cili po merrej me të dëbuarit nga Kosova. Pasi ju ndihmoi, gazetarja amerikane vendosi ta punësonte Mimozen si përkthyese si dhe e ftojë që të jetonte me të.

Mimoza duhej të udhëtonte drejt SHBA-ve në fund të qershorit, fluturimin për atje e kishte të paguar falë bursës. Por një problem u paraqit, pasi pashaporta e saj ishte shumë afër skadimit. Ajo nuk mund të udhëtonte më herët pasi nuk kishte para. Gazetarja amerikane vendosi që t’ia paguajë bileten si dhe autorizon burrin e saj dhe vajzen që të dalin dhe ta presin Mimozen në aeroport. Në dhjetë diteshin e parë të qershorit, Mimoza e gjen veten në Amerikë.

Ajo kontakton me tezet e saj në Mal të Zi dhe Shqipëri për t’u treguar dhe përcjellur prindërve se ajo ishte shëndoshë e mirë në Amerikë, ndërsa gjithë paratë që kishte fituar gjatë kohës që punoi me gazetaren amerikane ju kishte nisur familjarëve në Gjakovë në mënyrë që ata ta merrnin veten pas luftës.

Në një ditë maji të 2001-ës, kur zonja, që të gjithë e thërrasin Shanka, po bënte punët e shtëpisë cingëroi telefoni. Ishte ora 18 e pasdites, ndërsa në Amerikë 12 e mesidtes. “Mami, u diplomova”, këto ishin fjalët e para që Mimoza i tha së ëmes në telefon.

“Ka qenë një moment vërtet emocionues. Ajo na tregoji që kishte diplomuar dhe më tha: Mam, unë isha e vetmja që s’i kisha prindërit, gjithë tjerët i kishin këtu në ceremoni. Një grua me ngjyrë mu afrua dhe më tha ku i ke prinderit, ndërsa unë ia shpjegova që për shkak luftës nuk jeni këtu. Ajo më tha që unë do të rri afër dhe do të zëvendësojë nënën tënde. Dhe zonja i kishte qëndruar afër dhe e kishte uruar e përqafuar kur kishte ngritur kapelen”, tregon Shanka e cila edhe tani kur e kujton sytë i mbushen me lot, ndërsa nuk e mohon faktin se atëherë kishte qarë shumë.

Tre muaj pas diplomimit Mimoza do të kthehej në Kosovë, për t’u ritakuar me familjarët e saj.

Foto familjare të Mimozës

Foto familjare të Mimozës

Njohja me Arbenin dhe jeta bashkëshortore

Në mars të 2003-ës në Prishtinë, me ndërmjetësimin e një të treti, një zotëri trupgjatë i njohur si Aben Lila, u prezantua me një zonjushë flokëshkurtër të quajtur Mimoza Kusari. Mes tyre u shfaq një interesim për njëri-tjetrin. Ata ndoshta se dinin se 18 muaj pas këtij takimi do e kurëzonin dashurinë e tyre me martesë.

Prindërit e Arbenit ishin arsimtarë dhe nëna e Mimozës e dinte se çfarë familje i përkiste dhëndri i ardhshëm, prandaj i pëlqeu shumë kur Mimoza tha se kishte gjetur një djalë. “Më kujtohet kur na prezantoi me Arbenin, une e kam njohur nënën e tij ngaqë e kisha kolege, por edhe të atin. Ne na pëlqeu shumë, pastaj kur i ka pëlqyer edhe Mimozës tjerat kanë pak rëndësi” thotë me të qeshur e ëma.

Në gusht të 2004-ës në restaurant “Kalaja” një dasëm e madhe dhe shumë dolli u ngriten për çiftin e ri Arben Lilen dhe Mimoza Kusarin. Kjo e fundit, që tashmë ishte zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, ju lut gazetarëve që tani e tutje “Mimoza Kusarit” t’ia shtonin edhe një “Lilë” nga mbrapa.

Këtë vit ata kanë 10-vjetorin e martesës, ndërsa kanë dhe dy djem Adrin dhe Edonin. I pari thuhet t’i ketë ngjarë babit, ndërsa kacurelsi më tepër Mimozës. “Kryt ja ka kput” kryetares së tashme të Gjakovës edhe mbesa e saj, Anika, vajza e Albanes e cila është tepër energjike dhe “shpat prej gojës”. “Nëse doni m’i pa Mimozen e vogël, kqyrni Aniken dhe Edonin”, thotë Shanka e cila gjatë vizitës sonë në shtëpi po kujdesej për të dy.

Të kesh gruan në politikë, për Arbenin jeta është shumë dinamike dhe interesante. “Dy muaj pasi u njoftuam Mimoza filloi angazhimin e saj në jeten politike. Kjo e bën jeten tonë familjare shumë dinamike dhe interesante. Çdo çast që e përjetojmë së bashku është më i çmuar për të gjtihë ne.  Mua personalisht me krijon hapësirë të merrem me punët dhe interesimet e mia”, thotë bashkëshorti i Mimozës.

Për Mimozen politike, Arbeni thotë të jetë ndier krenare kur vendosi masen e reciprioritetit me Serbinë. Që nga ajo kohë edhe djali i tyre i madh, Adri kur rastis nëpër marketet produkte me barkodin 860, prodhim i Serbisë, i kthen mbrapa.

Një burrë duhet ta ketë të vështirë me një grua oratore si Mimoza. Por si ja bën Arbeni kur diskutohen çështje të “nxehta” familjare. “Për secilin burrë sapo të hyjë në çfarëdo diskutimi të hapur me bashkeshorten kuptohet që betejen e ka të humbur. Andaj çështjet e nxehta së pari i ftohim e pastaj mundohem të nxjerr më të miren”, thotë me shaka ai.

Mimoza me bashkëshortin Arbenin dhe dy djemtë Ardin (poshtë) dhe Edonin (në krahët e të atit)

Mimoza me bashkëshortin Arbenin dhe dy djemtë Ardin (poshtë) dhe Edonin (në krahët e të atit)

Mimoza në politikë

“Ishte një ditë vere e vitit 2009, kur pranova një telefonatë nga Mimoza e cila ishte shumë e shqetësuar për zhvillimet në Gjakovë, për keqmenaxhimin që i bëhej Komunes dhe varferinë që e kishte kapluar Gjakoven. Ditë më parë Dr. Mahmut Lila, familjar i Arbenit, bashkeshortit të saj dhe aktivist i AKR-së i kishte propozuar që të mendojë për kyqje në politikë. E kishte bërë të mendojë seriozisht për këtë dhe biseduam së bashku lidhur me këtë mundësi.

“U takuam në zyren time, ishte shumë e brengosur për Gjakoven dhe me tha kjo është arsyeja e vetme nëse hyjë në politikë. Duke i ditur aftesitë e saj menaxhuese, ishte person i vetëm që mund të bëjë ndryshimin në Gjakovë. Kështu që e perkraha pa rezerve mendimin e saj dhe menjëherë shkuam së bashku e takuam presidentin e AKR-së zt. Pacolli i cili e mirëpriti këtë iniciative të Mimozes. Brenda një periudhe të shkurter, Mimoza vendosi që të kandidohet për kryetare të Gjakovës”, kështu e kujton Valon Lluka kohen kur Mimoza kishte vendosur të hyjë drejtpërdrejt në politikë.

Prindërit u befasuan nga propozimi i Mahmut Lilës, prandaj e kundërshtuan me arsyetimin se djali i parë i Mimozës ishte akoma i vogël, ndërsa duhej të sakrifikonte shumë si femër që është. Por, ajo u tha që e kishte vendosur, prandaj e mbështeten. Njejtë ka vepruar edhe bashkëshorti i saj.

Më parë, gjatë vitit 2006-2009, Kusari-Lila ka shërbyer si drejtoreshë ekzekutive në Oden Ekonomike Amerikane në Kosovë (Am Cham). Ndërsa para se të bëhej zëdhënëse e Qevrisë, ajo gjithashtu ka punuar për organizata donatore si për Bankën Botërore dhe USAID-in, si dhe ka punuar si menaxhere e Projektit në Fondacionin për Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Në zgjedhjet e 2009-ës humbi garen kundër kandidatit të AAK-së, Pal Lekajt që në raundin e parë. Ajo dhe partia e saj i kontestuan zgjedhjet, duke thënë se ato u manipuluan. Organizoi edhe disa protesta. Përkundër shumë proceseve gjyqësore, KQZ certifikoi rezultatin dhe Pal Lekaj tashmë po vazhdonte mandatin e dytë si kryetar. Nga ana tjetër, AKR-ja pati një rritje të jashtëzakonshme duke u bërë forca e dytë politike lokale.

Një vit pas, në zgjedhjet e jashtëzakonshme e dhjetorit të 2010, Kusari – Lila ishte femra më e votuar politikane në Kosovë. U emërua zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë më 23 shkurt të vitit 2011 dhe ka shërbyer në këtë detyrë deri më 2 tetor 2013, kur dha dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Qeverinë e Kosovës për shkak të angazhimit të saj në fushatën elektorale për kryetare të komunës së Gjakovës.

Kandimi për herë të dytë prap nuk u mbështet nga familjarët. Për shkak të zgjedhjeve të 2009-ës bashkëshorti Arbeni dhe prindërit i thanë të mos kandidonte. “Ne vetëm në media e kemi marrë vesh që po kandidonte prapë. Kur e kemi pyetur na ka thënë jo nuk do kandidojë, thjesht po kërkojmë njeriun e duhur. Ndërsa pasi u zyrtarizua erdhi dhe na tha po kandidohem prapë”, kujton babai i Mimozës, Ademi.

Pas një fushate të gjatë, Mimoza Kusari-Lila bëri historinë duke u bërë gruaja e parë femër që udhëheq me një komunë, edhe atë të rëndësishme si ajo e Gjakovës. Në raudin e dytë që u mbajt më 1 dhjetor të vitit të kaluar ajo mposhti kundërkandidatin e vjetër, Pal Lekajn me rreth 2300 vota epërsi.

mimoza-foltore

“Sekretet” e kryetares

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila zakonisht zgjohet herët, ajo çfarë dëshiron është te ketë një gjumë të rregullt. Defekti i saj më i madh, sipas saj, është që të arrijë të bëjë shumë gjëra në afat të shkurtër, sidomos kur bëhet fjalë për axhendat ditore që zakonisht e bën edhe të vonohet nëpër takime.

Në intervisten festive për Radio Gjakoven ajo tha se që e vogël ka dëshiruar të bëhet aktore, ngaqë ka parë shumë filma, ose të merret diçka nga lëmia e kulturës. Po ashtu, shpesh e imagjinonte veten duke folur para turmave të mëdha të njerëzve, po se dinte që kjo do arrihej përmes politikës.

Dëshira që nuk i është plotësuar akoma është ajo për një komunë më të zhvilluar, ndërsa talenti që nuk e ka është të këndojë më bukur. Kusari-Lila thotë se mendon tre-katër herë para se të vendosë për diçka, ndërsa ndonjëherë flet edhe me vete, por pa zë.

Ajo thotë se nuk po e ndjen plakjen, as nuk i frikësohet vdekjes, ndërsa stresi i është bërë pjesë e jetës. Këngëtari i saj i preferuar është Alban Skenderaj. Ajo nuk e pëlqen duhanin dhe nuk beson në fall.

Celulari i saj është me fjalëkalim. Dhurata më e bukur që ka marrë nga bashkëshorti është një unazë me një gurë të çmuar që ai e kishte gjetur rrugës për t’u ngjitur në majen më të lartë të Tanzanisë. Kusari-Lila konsideron se ende se ka bërë gabimin më të madh të jetës. Ajo është shumë aktive në “Facebook” dhe Twiteer”, por më pak në “Instagram”.

Për operacione plastike thotë vetëm të ketë biseduar ne kafe me shoqërinë, pasi mendon se ato nuk janë zgjidhje. Libri i fundit që ka lexuar është biografia e Steve Jobs./RadioGjakova/

Autor: Ideal Gola