Mimoza tek “Grupi i Gjakovës”: Nuk do ju harrojmë
Gjakovë- Kandidatja e AKR-së për Gjakovën, Mimoza Kusari Lila, në vazhdën e aktiviteteve elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, të enjten ka vizituar edhe Shoqatën e të Ish-Burgosurve të luftës së fundit, të njohur me emrin “Grupi i Gjakovës”.
Kryetari i kësaj shoqate, Afrim Caka, fillimisht ka folur rreth rëndësisë që paraqesin këto zgjedhje për Gjakovën dhe nevojën që ka kjo komunë për një ndryshim të mirëfilltë i cili do të garantonte zhvillimin dhe hapjen e perspektivës.
Kusari Lila tha se jemi te ju me dëshirën, vullnetin dhe guximin për t’i ndryshuar gjërat pozitivisht në Gjakovë. “Dëshpërimi për këtë qeverisje që është sot është tejet i madh dhe vërehet kudo në Komunën e Gjakovës”, ka theksuar ajo.
“Ne në programin tonë kemi hartuar projekte konkrete që do ju sigurojmë kategorive të dala nga lufta duke përfshirë edhe grupin e ish-të burgosurve të Gjakovës, përfshirje në punësim dhe në të gjitha proceset që do ketë komuna jonë nën udhëheqjen time. Unë ju siguroj se fillimisht do të identifikojmë potencialet e secilit në aspektin profesional, do organizojmë trajnime në parkun industrial që parashohim ta ngrisim në Gjakovë si dhe do jemi asistentë punësimi për personat nga këto kategori”, ka shtuar më tej Kusari-Lila.
Sipas saj, sfidat janë para nesh për të vendosur çdo gjë në vendin e vet, por bashkërisht do ia dalim që në muajt e parë të qeverisjes sime dhe së bashku do jemi dëshmitarë se Gjakova meriton më mirë dhe mundet më mirë.
“Si shoqatë apo grup i Gjakovës ju përfaqësoheni edhe në listën tonë për Asamble komunale dhe ju siguroj se çdo qytetarë i komunës së Gjakovës do ta ndjej vetën të përfaqësuar në qeverinë e ardhshme sepse do jem kryetarja e të gjithëve pa dallim politik, fetar apo rajonal”, ka thënë në fund, kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.