Mimoza tek të verbërit: Gjendja juaj është përkeqësuar akoma më shumë këto 4 vjet
Gjakovë- Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila është takuar me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara.
Duke dëgjuar për hallet dhe shqetësimet me të cilat po ballafaqohet kjo kategori e qytetarëve të komunës së Gjakovës, Kusari – Lila ka thënë se nëse ajo vjen në pushtet do ju garantoj barazi e dinjitet, gjë e cila këtyre njerëzve u ka munguar deri më tani.
“Më vjen keq që gjërat nuk paskan ndryshuar për ju në këto katër vjet, bile po shihet se ato qenkan përkeqësuar edhe më shumë”, ka thënë Kusari – Lila. Ajo ka shtuar se asnjëherë nuk dëshiron ta politizojë çështjen e rëndë të këtyre kategorive, por i vjen keq që gjendja e tyre ende nuk është përmirësuar.
“Me rëndësi është që gjendja juaj të përmirësohet e pak rëndësi ka kush do ta përmirësonte atë. Unë do t’i gëzohesha të mirës suaj, pa marrë parasysh se nga vjen ajo”, ka vazhduar Kusari – Lila, duke shtuar se në programin e saj, pjesë esenciale është që të krijohet infrastrukturë dhe kushte që të gjithë njerëzit të ndihen të barabartë.
Ndryshe, gjatë ditës Kandidatja Kusari – Lila ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të qytetit, si dhe në varrezat e martirëve në Çabrat dhe në Mejë./radiogjakova/