Nagavci garanton zhvillim të bujqësisë në Dobrosh
Gjakovë- Të mërkurën Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje Gjakovë mbajti takim me banorët e fshatit Dobrosh. Kandidatja për kryetare të Komunës, Arbërie Nagavci, së bashku me kandidatët për Kuvend Komunal, shpalosën programin e Vetëvendosjes për Komunën e Gjakovës.
Arbërie Nagavci tha se ndër prioritetet kryesore të programit qeverisës është zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. “Në mandatin tonë të parë do të shihet zhvillimi në bujqësi nëpërmjet subvencioneve që do t’i ndajmë. Me zhvillimin e bujqësisë do të krijohen edhe vende të punës. Do të bëjmë tri ose katër pika grumbullimi të qumështit dhe kështu do të ndihmohen edhe fermerët”, tha Nagavci, duke shtuar se Vetëvendosje angazhohet për rritjen e prodhimit vendor.
“Gjatë udhëheqjes sonë do të vendosim frigoriferë për ruajtjen e pemëve, në mënyrë që prodhimet të mos kalben, e të mos hidhen në lumë, ashtu siç ka ndodhur deri tani”, tha Arbërie Nagavci.
Banorët e Fshatit Dobrosh, thanë se pushteti aktual i viziton vetëm ne kohë fushate. Ata treguan se Komuna tani e ka inauguruar kanalin për ujitje, i cili ende pa u futur në punë është prishur sepse ndërtimi i saj ka qenë jo cilësor.