Nis “Java e grave”, aktivitete edhe në Gjakovë
Të hënën nisi “Java e Grave” një ngjarje kjo e përvitshme që mbahet në nivel kombëtar që nga viti 2012. Në kuadër të kësaj jave, aktivitete do të ketë edhe në Gjakovë.
Lumnije Shallaku nga zyra për Barazi Gjinore në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, tha se me iniciativë të kësaj zyre, për disa ditë në Qendrat e Mjekësisë Familjare, në qytet dhe fshatra, do të mbahen aktivitete për edukimin shëndetësor, e ku do të ligjërojnë profesionistë mjekësorë.
Po ashtu, sipas Shllakut, në vazhdimësi të kësaj jave janë paraparë të mbahen edhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me edukimin dhe të drejtat e grave.
Këto aktivitete që po përkrahen nga OSBE, priten të mbahen në disa shkolla fillore dhe të mesme me qëllim të vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e gruas në pronë.
Ndërkaq në nivel nacional, tema e sivjetshme në kuadër të “Javës së grave” është llogaridhënia nga Qeveria./radiogjakova/
Foto arkiv