Nisma e bindur në fitore: S’na duhet marketingu, të ardhurat për familjet në nevojë
Nisma për Kosovën, dega Gjakovë, ka vendosur që mjete e ndara për marketing dhe pano të fushatës së zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, t’i ndajë për familjet me nevojë.
“Qytetarët e komunës së Gjakovë, në këtë vit kanë nevojë më shumë se kurdoherë më parë, për një mbështetje humane dhe solidaritet në vepër, veçmas familjet skamnore të cilat i pret një dimër i vështirë jo vetëm për lëndë djegëse por edhe për ushqim”, thuhet në një njoftim të këtij subjekti politik.
Fazli Hoxha, kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës, ka bërë të ditur se kryesia, elektorati por edhe kandidatët për këshilltarë komunal të Nismës për Kosovën në Gjakovë, janë të bindur në fitore dhe për këtë shkak nuk e shohim të arsyeshme që të shpenzojnë mjete për marketing elektoral, sidomos në shtypjen dhe shpërndarjen e panove të kandidatëve dhe të nominuarit për kryetar.
“Mjete e dedikuara për këtë, do t’i shpërndajnë në familjet skamnore të cilat vuajnë për të siguruar ekzistencën familjare”, thuhet në këtë njoftim./radiogjakova/