“Një jetë me hendbollin”, shfaqet dokumentari për Mexhid Devajën
Një dokumentar i cili flet për punën shumëvjeçare të ish-kryetarit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhid Devaja është shfaqur të martën mbrëma para dashamirëve të hendbollit dhe qytetarëve të Gjakovës.
Dokumentari “Një jetë me hendbollin” prezanton një punë rreth 16-vjeçare të Devajës në krye të kësaj federate, deri në realizimin e synimit të tij, që ishte ndërkombëtarizimi i këtij sporti, për të cilën merita kryesore është e kryetarit të saj, për të cilin është realizuar ky projekt.
Autori Artan Muhaxhiri tha se janë dashur gati 3 vite për të realizuar atë, ndërsa si arsye që i është futur kësaj pune, ka qenë dashuria që ka për hendbollin.
Ndërkaq protagonisti i këtij dokumentari, Mexhid Devaja, tha se suksesi i tij është sukses i gjithë njerëzve që kanë qenë afër tij edhe në kohët më të vështira.
Ai tha se me Gjakovën e lidhin shumë gjëra që në rrugëtimin e parë për ndërkombëtarizimin e këtij sporti, e deri në realizimin e shumë aktiviteteve nga të cilat më të rëndësishmet janë mbajtur në Gjakovë.
Duke marrë pjesë në këtë promovim, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka përgëzuar autorët për dokumentarin, ndërsa ka thënë se me të tilla personazhe sportistët frymëzohen, duke parë se ka njerëz që punojnë me përkushtim të madh, e i cili nuk kalon pa u vërejtur.
Ai më pas tha se do të jetë i përkushtuar në avancimin e këtij sporti dhe se e ka shpallur muajin Mars si muaj të hendbollit, duke organizuar gara nëpër shkolla për të nxjerr talent të rinj./radiogjakova/