“Nuk kemi ardhur që PDK-ja ta marrë Gjakovën, por Gjakova ta merrë PDK-në”
Gjakovë- Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjakovës, Hajdar Beqa ka zhvilluar një takim të përbashkët me nendegët e gjashtë, shtatë dhe tetë lokale të komunës. Në këtë takim nuk erdhi Kryeministri Thaçi, por të pranishëm ishin funksionarë tjerë të lartë si Hajredin Kuçi, Adem Grabovci, Besim Beqaj dhe Elmir Reçica.
Nënkryetari i PDK-së Adem Grabovci për të treguar se partia e tij është duke shkuar në një rrugë të drejtë dhe një të ardhme më të mirë, tregoi një histori të shkurtër që i kishte ndodhur gjatë kohës së demostratave në Prishtinë.
“Gjersa po dilnim në demostrata në Prishtinë, gjatë kohës sa isha student , një shok i imi më pyeti nëse i kishim gjakovarët më vete. I thash po. Ai ma ktheu se mirë është puna. Unë e pyeta se çka po don me thonë, kurse ai mu përgjigj që gjakovarët din të vlerësojnë më së miri dhe ata din kur duhet të veprohet. E ju këtu të pranishëm po ma vërtetoni këtë gjë, atë mendim të shokut tim”, u shpreh Grabovci.
E në fjalin e tij, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se nuk kemi ardhur këtu që PDK-ja ta marrë Gjakovën, por Gjakova ta merrë PDK-në. Ai ka thënë se PDK-ja dhe Gjakova kanë shumë të përbashkëta prandaj e meritojnë njëra-tjetren.
“Ne tani kemi dy qëllime politike: kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën dhe kryeqytetin politik të Kosovës, Gjakovën. Ne ju falim që në zgjedhjet e kaluara keni votuar më shumë të tjerët se ne, por ju shquheni për mendim politik dhe nuk guxoni të votoni ata që ju sollën në këtë gjendje. Na jepni voten ne dhe ne do bëhmi argatët tuaj”, u shpreh Kuçi.
Ai ka pasur një thirrje edhe për të rinjët e komunës së Gjakovës që të udhëheqin Kosovën, siç bënë dikur baballarët e tyre. “Unë e di që ju jeni krenar me gjyshërit dhe baballarët tuaj, por kjo nuk mjafton. Ju duhet jo vetëm të udhëheqni me Gjakovën, por të vini në Prishtinë dhe të udhëheqni me Kosovën sikurse bënë gjyshërit dhe baballarët tuaj”, vazhdoi Zv/Kryeministri i Kosovës.
Ndërsa, kandidati për kryetar Hajdar Beqa, shpalosi vizionin e tij për katër vitet e ardhshme për komunën e Gjakovës duke thënë se me mbështetjen e Qeverisë puna e tij do jetë më e lehtë dhe se premtimet do bëhen realitet.
Në këtë takim, u prezantuan dhe kandidatët për Asamble nga nëndegët 6,7 dhe 8, ku ndër të tjerë ishin dhe Ismet Beqiri, bartës i listës së PDK-së, kryetari i Forumit Rinor, Besfor Jaka dhe këngëtarja Fjolla Shala./radiogjakova/