“Pashtriku”, shoqëria me 350 anëtarë
Gjakovë- Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Pashtriku” nga Gjakova, vazhdon të mbetet ndër shoqëritë më të fuqishme të këtij lloji në Kosovë e gjithashtu edhe ndër grupet më të organizuara në komunën e Gjakovës.
Me një vullnet të madh kjo shoqëri ka arritur të grumbullojë në mesin e vet rreth 350 anëtarë, të cilët përgjatë një viti organizojnë mbi 50 aktivitete apo marshuta, numër ky dukshëm më i lartë se i shoqërive tjera simotra.
Skender Sina kryetar i shoqërisë së bjeshkatarëve, thotë se kjo shoqëri po vazhdon të rritet çdo ditë e më tepër, duke u freskuar me anëtarë të rinj, të cilët po e konsiderojnë bjeshkatarin dhe ecjen në natyrë si pasion të vetin. Sipas tij, shoqëria bjeshkatare “Pashtriku”, vazhdon të jetë e hapur edhe për anëtarë tjerë, pa dallim moshe e gjinie, pasi aktiviteti bjeshkatarë si aktivitet i lirë përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë.
Shoqëria bjeshkatare–alpiniste “Pashtriku” ka si cak të vetin të gjitha majat e larta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, të cilat i viziton gjatë aktiviteteve të saja të përjavshme. Aktualisht, shoqata është duke u organizuar që të mbajë marshutë për nder të 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, marshutë e cila është planifikuar të bëhet në Rrasë të Koshares, një vend me rëndësi të madhe historike për popullin tonë./radiogjakova/