PDK prezanton kandidatet femra për Asamblenë e Gjakovës
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë dhe Gruaja Demokratike pasditen e së shtunës prezantuan 13 kandidatet femra për Asamblenë komunale nga kjo parti.
Për t’i dhënë besim dhe mbështetje të gjitha kandidateve erdhën deputetet e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës dhe ministrja e vetme femër e PDK-së në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.
Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë, Hoxha, tha se Gjakova duhet t’i besojë kandidateve femra për Asamble dhe kandidatit për kryetar të komunës, Ramadan Hoti.
“Gjakova duhet të vendosë se a duhet ta votojë një kryetar i cili bashkëjeton çdo ditë me qytetarin apo një kryetar i cili vetëm poston në Facebook ndërsa nuk gjendet kur i nevojitet më së shumti qytetarit. Prandaj, ju ftoj të votoni për Hotin dhe kandidatet femra për Asamble sepse forca e ndryshimit në Gjakovë fillon me PDK”, tha Hoxha.
Kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Ramadan Hoti, u shpreh se femrat do ta kenë një zë të rëndësishëm në qeverisjen e tij, ndërsa shtoi se interesi i qytetarëve do të jetë parësor.
“22 tetori do të jetë fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës, kjo ditë është një shans për të gjithë ne, në veçanti për komunën e Gjakovës, sepse ju, Gruaja Demokratike, jeni forca politike e Partisë Demokratike që kërkon të merr besimin për shërbim të pushtetit ndaj qytetarëve dhe një qeverisje me një drejtim të ri ku qytetarin e ka të parin dhe interesin e tij mbi çdo interes tjetër”, u shpreh Hoti.
Me radhë, fjalën në këtë tubim e morën edhe të gjitha deputetet e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kryetari i degës së kësaj partie në Gjakovë, Hajdar Beqa, tha se në qeverisjen e Ramadan Hotit 50% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.
Beqa shtoi se oferta e PDK-së është më e mira për Gjakovën, prandaj ftoi gratë dhe vajzat të votojnë për këtë parti më 22 tetor/radiogjakova/