Shqipëri pa gjak, humbet ndaj Luksemburgut
Një humbje në miqësore nuk është tragjedi, por kur mundesh 2-1 me Luksemburgun pas katër humbjeve radhazi ku ke pësuar minimalisht nga dy gola për ndeshje, atëherë gjërat duket se po bëhen serioze, sigurisht jo për mirë.
Në “Josy Barthel” Shqipëria shfaqi të njëjtat gabime të vitit të fundit, me pasiguri në goditje standarte apo dhe ruajtjen e distancës mes reparteve, që sollën dhe të dy golat e Luksemburgut në këtë ndeshje.
Mbrojtja me 3 për më tepër e zgjedhur nga De Biasi u duk sikur në këtë ndeshje nuk funksionoi ashtu si dhe ideja për të arritur një fitore të qetë e pa shumë lodhje, aq sa dhe rastet e shumta të krijuara erdhën më shumë si pasojë e zgjidhjeve individuale.
Roshi ndërkohë rastin që humbi në pjesën e parë me këtë parabël e korigjoi në të dytën kur në të 52-tën shënoi golin e epërsisë së Shqipërisë.
Shqipëria mendoi se mund ta kontrollonte ndeshjen, por Luksemburgu që kishte rrezikuar dhe në pjesë e parë tregoi se mund të shfrytëzojë mjaft mirë pasiguritë e kuqezinjve sidomos në mbrojtje, si në rastin e minutës së 63-të kur një top drejt Turpelit filtroi gjithë mbrojtjen për t’u dërguar në rrjetë nga ky i fundit. Më pas dhe pasiguria e zakonshme në goditjet standarte që solli dhe golin e 2-të të Malgetit.
Në këtë ndeshje u paraqitën edhe lojtarët gjakovarë Amir Abrashi, Blerim Kukeli dhe Eros Grezda. Ky i fundit pati një paraqitje të mirë dhe një rast për barazim në të 87-n, por pa sukses.