Shqipëri-Zvicër, Abrashi nga minuta e parë
Tiranë- Lojtari me prejardhje nga Gjakova, Amir Abrashi do të luajë kundër një trajneri dhe skuadre që e deshën aq shumë, por që ky nuk ia ktheu shpinen Shqipërisë. Ai do paraqitet nga minuta e parë kundër Zvicres së Otmar Hizfeldit.
Trajneri De Biasi ka vendosur të ulë në stol dy titullarë si Odise Roshi dhe Migjen Basha, për t’u dhënë një shans atyre që luajnë pikërisht në tokën helvete: Shkëlzen Gashit dhe Amir Abrashit.
Në stërvitjen e fundit, të zhvilluar të enjten në Durrës, italiani ka fiksuar gjithçka. Në ditët e kaluara ai kishte lënë të kuptohej se me rikthimin e Mavrajt do të uleshin në stol mbrojtësit Dallku e Teli, por vetëm të enjten provoi për herë të parë ndryshimet në mesfushë.
Shqipëria do ta nisë ndeshjen me Berishën në portë, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të jetë: Cana dhe Mavraj në qendër, të mbështetur nga e djathta me Lilën dhe në të majtë nga Agolli.
Reparti i mesfushës është ai që ka pësuar rotacionin më të madh, ku italiani ka guxuar dhe ka caktuar në rolin e titullarit Gashin, i cili i zë vendin Roshit si mesfushor i krahut të djathtë. Bulku do të luajë përpara mbrojtjes në rolin e shkatërruesit, ndërsa para tij Kaçe dhe Abrashi. Në rolin e mesfushorit të majtë do të aktivizohet i zakonshmi Rama. Ndërkohë, Salihi do të mbajë i vetëm peshën e sulmit kuqezi.
De Biasi ka menduar të luajë ndaj Zvicrës me skemën 4-1-4-1. Italiani e ka të qartë që forca kryesore e kundërshtarit është pikërisht mesfusha dhe, për ta neutralizuar atë, ka mbipopulluar me pesë lojtarë këtë repart. Duke marrë shkas edhe nga skemat që italiani praktikoi gjatë seancës së fundit stërvitore, ai kërkon që ta bllokojë kundërshtarin deri në mesfushë, duke mos e lejuar t’i afrohet portës së mbrojtur nga Berisha, i cili parashikohet të ketë shumë punë./radiogjakova/