.
Published On: Mon, Jan 13th, 2014

“Sofra gjakovare” e Shkupit

Share This
Tags

sofra-gjkNë vitin e largët 1892, Shkupi, një qytet nga ata të shumtët në Federaten Jugosllave, u pa nga disa famije gjakovare si një vend më i mirë për t’u jetuar. Kështu, në këtë vit, të njejtit moren vendime për t’u shpërngulur atje. Më 1911 dhe një vit më vonë, kjo shpërngulje morri një hov më të madh. Shkupi kishte hapur dyert, ndërsa gjakovarët po ndjeheshin mirë.

Më 1948 po nga këto familje u themelua shoqëria e parë shqiptare kulturo-artistike në Maqedoni e njohur si “Emin Duraku”. Pas saj, erdhen edhe shoqëritë “Xheladin Zeqiri” dhe “Ibe Palikuqi”. Shoqëria “Emin Duraku” vazhdon me aktivitete edhe sot, por jo me ritme të mëparshme dhe me strukturë njerëzish tjerë.

Atë kohë “Emin Duraku” mbajti mjaftë koncerte në qytetet e ish-Jugosllavisë, në Turqi dhe në gjithë Evropen. Kishte aktivitete të shumta dhe sukseset nuk munguan. Gjakovarët e Shkupit tashme e kishin një “rrugë” përmes sëcilës jepnin kontributin e tyre artistik, por dhe ruanin traditen.

Sot, në kryeqytetin e Maqedonisë mendohet të ketë rreth 100 familje gjakovare me 2500 anëtarë. Përpos organizimeve private në shtëpitë e tyre, ata nuk ishin të organizuar në një shoqatë dhe nuk mbanin aktivitete publike.

Duke parë nevojen që gjakovarët e Shkupit të “riktheheshin në skenë”, para dy vitesh, Mazllum Ymerhalili ftojë disa nga përfaqësuesit e këtyre familjeve për të hedhur propozimin që gjakovarët të riorganizoheshin. Idea u mirëprit. Vendimi u morr.

“Qëllimi i themelimit të shoqates ka qenë së pari për të evokuar, ruajtur dhe kultivuar traditat dhe trashigiminë e Gjakovës në çdo segmet të jetes, si ajo e kultures, ahengjeve, muzikes etj”, shprehet Baki Maliqi, kryetar i shoqatës.

Më 29 maj 2013 u bë zyrtarizimi i “Sofrës gjakovare”. Ajo u regjistrua si shoqatë pranë Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë. Me këtë rast u organizua edhe një mbrëmje muzikore siç e do tradita gjakovare në gëzime.

“Sofra…” udhëheqet nga Bordi në përbërje të 13 vetave. Një kryetar, dy nënkryetarë, një sekretar, një kordinator dhe një arkatar. Pjesa tjetër janë anëtarë bordi. Gjitha vendimet e Bordit bëhen me koncensus, ndërsa puna e saj është transparente. Financimi i shoqatës bëhet nga pagesa e anëtarësimit, ndërsa një pjesë e rëndësishme janë edhe sponzorizimet e ndryshme.

sofra2

“Sofra gjakovare” jo vetëm qef…

Edhe pse sa herë thuhet “Sofra gjakovare” ne na vie ndërmend një rreth burrash që këndojnë, insrumentalistë, raki e meze dhe kërcim, ideja e kësaj shoqate është më e gjerë. Për të qenë të sinqertë, kjo pjesë nuk mungon tek shoqata në fjalë, por në statutin e saj shkruan edhe diçka më tepër.

“Në statut e kemi të theksuar që shoqata në axhenden e saj do ketë dhe pasurimin e vlerave të familjeve gjakovare në aspekt të kultures, shkencës, arsimit, shëndetësisë si dhe statusi i familjeve gjakovare, duke u integruar në shumë segmente të shoqerisë gjithpërfshirëse, sipas nevojes, dhe në atë politike në Maqedoni”, thotë i pari i “Sofrës…”, Maliqi.

Programi i shoqates do të realizojë edhe aktivitete tjera siç është ajo nëpërmjet mbledhjeve, tribunave, simpoziumeve, shënimeve të përvjetorëve-jubileve të festave tona kombëtare dhe të promovimeve dhe manifestimeve kulturore e artistike.

“Akiviteti dhe veprimtaria e shoqatës është e hapur për komunikim dhe bashkpunim me të gjitha asociacionet e institucionet shkencore, arsimore, kulturore, fetare, sportive e kështu më rradhë. Si dhe me subjektet politiko–partiake në shoqerinë tonë me qëllim të bashkërenditjes së veprimtarisë ku ajo vepron e më gjerë”, vazhdon Maliqi.

Sipas kryetarit, shoqata është e hapur dhe me asociacionet e ngjajshme intelektuale kombëtare e ndërkombetare, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta të aderimit në to, të tubimeve të ndryshme dhe te manifestimeve kulturo-artistike, me një qëllim të promovojnë trashigiminë gjakovare.

Pjesë e “Sofrës…” janë gjithë anëtarët e familjeve gjakovare në Shkup. Të drejtë anëtarësimi pranë kësaj shoqatë kanë edhe shqiptarët nga qytetet tjera, ndërsa martesat kanë sjellur një pasurim të shoqatës edhe me familje tjera jo gjakovare, për të cilën gjë, Maliqi ndjehet krenar jo pak.

sofra1

Kryetari i “Sofres…” Baki Maliqi (i treti nga djathta) me anetare te shoqates pas performances

Aktivitetet e para të “Sofrës…”

Pos mbrëmjes muzikore me rastin e zyrtarizimit të shoqatës, “Sofra gjakovare” Shkup ka mbajtur edhe disa aktivitete tjera. Kështu, më 26 nëntor me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, 105-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 135-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ata organizuan një manifestim me pjesëmarrjen e rreth 400 vetave.

Në këtë tubim kulturo-artistik ishin të ftuar personalitete te shquara të jetës shoqëro-politike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Po ashtu, të ftuar të veçantë ishin edhe doajeni i këngës, Ismet Peja, vëllëzërit Edi e Fatos Furra me orekstren “Lirikët”, si dhe Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” e Shkodrës.

Gjëja më interesante këtë mbrëmje ishin 200 shishet me verë të cilat ishin mbushur vëtem për këtë natë me etiketë speciale për festat e nëntorit. Një shishe e tillë është ruajtur edhe për Radio Gjakoven.

Po këtë natë, me propozim të “Sofrës…” u bë binjakëzimi i Bashkisë Shkodër dhe asaj të Çairit, komunës më të madhe shqiptare në Maqedoni. Ngjarja në tërësi pati një jehonë të madhe mediatike në Maqedoni.

Pos kësaj, “Sofra…” në gjashtë mujorin e saj nga zyrtarizimi mbajti edhe pesë aktivitete tjera, ku përmendim atë në qytetin e Ferizajit, ku u organizua një aheng me gjakovarët që jetojnë në këtë qytet, ndërsa për Vitin e Ri u organizua një tjetër aheng me anëtarët dhe mysafirët nga Shkodra, me pjesëmarrjen edhe të grupit muzikor “Rrexh oxhakut – Suma” dhe Asamblit “Ibe Palikuqi” të Shkupit.

Po më 31 dhjetor, shoqata gëzoi fëmijët e familjeve gjakovare me nga një dhuratë për festën e ndërrimit të motmoteve.

sofra3

Foto nga ahengu me rastin e zyrtarizimit te shoqates. Familje gjakovare ne Shkup.

Së shpejti “Sofra…” ‘shtrohet’ në Gjakovë

Kryetari i shoqatës, Baki Maliqi tregon se “Sofra…” shumë shpejtë për të paren herë do të ‘shtrohet’ në vendin e origjinës, në Gjakovë. “Jemi të ftuar nga Shoqata e Intelektualeve “Jakova” për një bashkpunim, më saktë binjakëzim mes dy shoqatave tona, që ne më shumë dashamirësi e pranuam. Ajo do realizohet në fillim të muajit shkurt në Gjakovë e shoqëruar me një aktivitet muzikor”, tregon ai.

Pos kësaj, në të ardhmen e afërt, shoqata do organizojë një aheng mes gjakovarëve të Shkupit dhe Prishtinës, do shfaqë programe edhe në Korçë, Malësinë e Gjakovës si dhe në Bursa të Turqisë ku jetojnë shumë shqiptarë.

Në Diten e Verës alla-turka, më 14 Mars, “Sofra gjakovare” do të jetë në Shkodër. “Për Diten e Verës, më 14 Mars, planifikohet vizita në Shkoder të familjeve tona gjakovare të Shkupit, me gjithë artistët tanë, grupi i folklorit, muzikes serioze dhe atë qytetare popullore nga Gjakova dhe Shkupi”, shpalos detaje Maliqi.

Po ashtu, kjo shoqatë ka planifikuar edhe tubime shkencore me tema të ndryshme që pritet të mbahen në Shkup, ku do ligjerojnë personalitete të shumta nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia./RadioGjakova/

Ideal Gola