Te Mimoza n’çaj
Gjakovë- Dojeta dhe Miranda, dy vajza nga ato të shumta që janë të angazhuara në fushaten e AKR-së, mesditen e së premtes s’po jepnin “xhevap” gjatë përgatitjes së çajit në Bllokun e Ri, një aktivitet që erdhi risi gjatë kësaj fushate nga kandiatja e AKR-së Mimoza Kusari-Lila.
Vetëm luga prej plastike me ngjyrë të kuqe nuk kishte “shenjë identifikuese” nga AKR-ja, gjitha tjerat përfshire gotat e plastikës, paketimet e sheqerit mbanin të stampuar imazhin dhe sloganin e “zonjës së hekurt” që është “Vetëm Mimoza për Gjakovën” ose “Fitore për Gjakovën”.
Në shtëpizën e improvizuar pranë bllokut të banesave në këtë zonë, ku shkruhej “Çaj me Mimozën”, u mblodhën shpejt gratë, të cilat diskutuan me kandidaten e AKR-së për zhvillim ekonomik. E kur ato nuk e kuptonin ndonjë term të “sofistikuar”, nga ato që përdor Kusari-Lila në debate, kjo e fundit detyrohej ta “gjakovarizonte muhabetin”.
“Jo bjo, na e kemi Mimozen. K’si heri pe fitojim ishalla”, thotë një zonjë e cila kërkon aprovimin e Kusari-Lilës teksa i përgjigjej një shoqeje të saj kur ra fjala për kandidatët për kryetar. “Para kësaj here më duket se kemi qenë me dy mendje, e tash po më doket që gjithë jemi bërë me një. Për ndryshim.”, thotë Mimoza, teksa përshendet një nga një kalimtarët.

Mes zonjave të mbledhura, dallohej një, ajo rrinte e buzëqeshur e priste që Mimoza ta njihte e ta kujtonte. Nuk u zgjënjye. Kusari-Lila lëvizi pak kokën dhe vërejti zonjën duke u afruar shpejt për t’i dhënë përshendetje e përqafime. Zonja ishte Surrije Brovina, mësuesja e Mimozës. Ish-nxënësja e “qarosi” me një çaj të nxehtë. “Mësuese a s’po e sheh që nuk të ka shku mundi huq, qyre nxansja po t’bohe kryetare kismet”, tha një zonjë tjetër që ishte aty afër.
Zonjat që qëndronin pranë Mimozës po i shpalosnin hallet e tyre. “Mimoza, pash zoten neve pensonistave me na kqyr se ashtu-kështu kërkush s’po na do”, thotë me të qeshur një e moshuar. “Shka o ka bohet me “Metalikun” a di gjo, na i kemi përqindjet aty”, pyet një tjetër e teksa Kusari-Lila po i shpjegonte procedurat se ku është problemi.
“Qyre Mimoza, edhe dishka t’funit: mu m’ki militante ndash nëpër katune, ndash n’qytet ka t’dush thirrem t’vi”, thotë një grua rreth të 50-ave teksa po e prisnin që të largohej edhe pse ëndja ja kishte që të qëndronte e “t’bonte muhabet” edhe pak nën shoqërimin e çajit.

Larg prej turmës që ishte mbledhur po qëndronte Arben Lila, bashkëshorti i Mimozës, i cili po kujdesej pos për djalin e vogël, dhe për ambientin që herë-herë nga vizitorë të pakujdesshëm nuk po mirëmbahej duke hedhur letrat.
Pas afro dy orë “heroinat” e takimit, Dojeta dhe Miranda bënë me shënjë që s’ka më çaj. “A e marut ju për sot a?” ju drejohet Kusari-Lila me të qeshur, teksa dhe djali i saj i vogël që tashmë po e mbante në krah ishte mërzitur dhe po kërkonte që bashkë me të ëmen të largoheshin. Vizitorët po iknin dhe ky aktivitet u mbyll duke u premtuar se i njejti do vazhdojë dhe nëpër lagje tjera./radiogjakova/










