Vëllaznimi humb miqësoren e dytë, Gojani: I kënaqur me angazhimin e lojtarëve
Vëllaznimi nga e shtuna është në përgatitje në Ulqin. Të mërkurën kanë zhvilluar ndeshjen e dytë kontrolluese me ekipin KOM nga Podgorica anëtar i Superligës së Malit të Zi.
Ndeshja u mbyll me rezultat 0-1, por pavarësisht humbjes futbollistët kuq e zi, sipas kryetrajnerit Arsim Gojani, treguan angazhim dhe futboll cilësor.
Shtabi teknik është i kënaqur me dinamikën e ushtrimeve të futbollistëve në këtë vend bregdetar. Përmes telefonit Gojani tha se në Ulqin janë kushtet ideale për punë të frytshme.
Të shtunën Vëllaznimi luan ndeshjen e tretë kontrolluese me Otrantin e Ulqinit, për çka kryetrajneri Arsim Gojani thotë se do të përmbyllet me sukses kjo fazë para ndeshjes së javës së ardhshme për Kupën e Kosovës me Rahovecin.
Ndryshe, ndeshjen e së mërkurës e ka ndjekur nga afër edhe legjenda e futbollit shqiptar Lorik Cana që më pas ka qëndruar edhe me lojtarët, duke i inkurajuar për pjesën e mbetur të kampionatit./radiogjakova/