Vëllaznimi i bëhet makth Dritës, kuqezinjtë në gjysmëfinale të Kupës
Vëllaznimi ka kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës pasi mposhti me penallti 6-5 Dritën në Gjilan, vetëm pak ditë pasi i rrëzoi nga kreu i klasifikimit të Superligës.
Për t’u përcaktuar fituesi nuk mjaftuan 120 minuta lojë, por u desh të ekzekutohen edhe 14 penallti me futbollistët gjakovarë që u treguan më të saktë.
Vëllaznimi e nisi mjaft mirë ndeshjen që gjeti golin e avantazhit që në minutën e 10-të me Chibuse, por vendasit barazuan menjëherë me Kastriot Rexhën.
Ky i fundit shndërrohet në makth të Vëllaznimi kur realizoi golin e dytë për Dritën dhe të tretin kundër Vëllaznimit në tre ditë.
Mirëpo, po kaq në makth iu shndërrohet gjilanasve Lekë Vula që sërish barazon 2-2 në fund të ndeshjes.
Shtesat me dy herë nga 30 minuta nuk prodhuan asgjë dhe gjysmëfinalisti u desh të kuptohej nga penalltitë.
Lekë Vula, Besnik Krasniqi, Gentian Mazrekaj e Lorik Rudi shënuan 4 penalltitë e para, ndërsa një tjetër e priti Alban Gecaj duke i dhënë mundësinë Burim Qorrit të siguronte kualfikimin, por ky dështoi duke lënë gjithcka të hapur.
Mirëpo, Flamur Bajrami e Egzon Gashi shënojnë penalltitë e radhës, ndërsa Limani qëllon traversën për t’i dhënë kualifikimin gjakovarve./radiogjakova/