Vetëm 10% e femrave të Gjakovës janë të punësuara
Gjakovë- Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës, Luan Gola ka mbajtur një takim me gratë e komunës së Gjakovës, ku e pranishme ishte dhe kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së në nivel qendror Lirije Kajtazi.
Në fjalen e saj, Kajtazi tha se Gjakova gjithmonë ka qenë prijëse e proceseve, prandaj që nga ky qytet do të nisë edhe karvani i fitoreve të LDK-së për të vazhduar në shumë komuna dhe në fund edhe në nivel qendror. Ajo ka ftuar femrat e komunës së Gjakovës që të votojnë Luan Golen për kryetar dhe kandidatët e LDK-së për Asamble pasi programi që ata kanë ofruar është më i miri.
Ndërsa vetë Gola ka thënë se roli i gruas në vendimmarrje në Komunën e Gjakovës do të jetë më i madh kur ai të jetë kryetar. Ai ka thënë se vetëm 10% e femrave të afta për punë janë të punësuara në Gjakovë.
Sipas Golës, politikat e LDK-së do të nxisin femrat që të merren me biznes, ndërsa do të shpërndahen fonde për gratë në bujqësi si dhe do ketë më shumë bursa studimi për studentet femra. Në këtë takim u prezantuan dhe kandidatet femra në listen e LDK-së që garojnë për një ulëse në Asamblenë komunale të Gjakovës./radiogjakova/