Vetëvendosja do tentojë ta fus Çarshinë e Madhe në UNESCO
Gjakovë- Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci dhe kandidati për asambleist, arkitekti Visar Haxhibeqiri kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë shpalosur programin e tyre për rregullimin urban të Gjakovës dhe mbrojtjen e trashëgimisë urbane e kulturore.
Sipas tyre, programi i Vetëvendosjes në këtë fushë përmblidhet në tri prioritete kryesore, konkretisht në zhvillimin e përgjithshëm urban, ruajtjen e fizionomisë së qytetit dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike. Nagavci duke folur për ndërtimet pa leje, ka thënë se ato do të parandalohen përmes trefishimit të inspektorëve të ndërtimit.
“Do të identifikohen të gjithë kantierët ndërtimorë në kuadër të qytetit dhe do të bëhet rishikimi i dokumentracionit përkatës, respektivisht posedimi ose jo i lejes ndërtimore. Kjo do të kryhet në 6 mujorin e parë të qeverisojes sonë. Ndërsa, do t’u ndalet puna objekteve që s’kanë leje si dhe do t’u nënshtrohen procesit jo të lehtë të legalizimit. Këtë do ta bëjmë brenda dy vjeçarit të parë të mandatit”, u shpreh Nagavci.
Ndërsa, arkitekti haxhibeqiri ka thënë se VV-ja do angazhohet për ringjallen e Çarshisë së vjetër si dhe futjen e kësaj pjese nën mbrojtjen e UNESCO-s, si dhe ringjallen e hapësirave publike të qytetit të Gjakovës, shumë prej të cilave, sipas Vetëvendosjes, edhe janë keqpërdorur nga pushteti aktual.
“Do të formohet një grup punues nga personeli i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Qendrës Rajonale për Trashigimi Kulturore të cilët do bëjnë evaluimin e Çarshisë së vjetër konfrom kushteve dhe detyrimeve ligjore që dalin nga Karta e UNESCO-s dhe më pas, po nga ky grup, do të plotësohet formulari i aplikimit”, sqaroi Haxhibeqiri./radiogjakova/