.
Published On: Thu, Feb 15th, 2018

10-vjetori i pavarësisë, mbahet ora letrare me poetët gjakovarë

Share This
Tags

Në kuadër të Javës së Pavarësisë, të enjten në sallën solemne të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” u mbajt ora letrare “Poetët për Pavarësi” ku morën pjesë krijues gjakovarë.

Drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, tha se poetët përmes krijimeve të tyre kanë frymëzuar në periudhat më të errëta, prandaj kanë zënë vend të veçantë në programin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë.

Gjithashtu, Hyseni premtoi mbështetje për poetët në aktivitetet e tyre të ardhshme.

“Kam nderin që jemi me ju në këtë organizim të veçantë, pasi kush më mirë se poetët kanë arritur përmes penës së tyre të frymëzojnë në ditët më të errëta të popullit tonë. Ky nuk do të jetë aktivitet i vetëm, pasi uroj të kemi bashkëpunim të ngushtë gjatë gjithë kohës”, deklaroi Hyseni.

Engjëll Berisha nga klubi letrar “Gjon Nikoll Kazazi” që ishte bashkorganizator i këtij aktiviteti me Drejtorinë për Kulturë, u shpreh optimistë që poetët do të jenë më prezentë këtë vit me aktivitete të ndryshme duke nisur nga Mitingu i Poezisë.

Ai ftoi edhe të rinjtë e pranishëm që t’i bashkohen organizimeve të klubit letrat “Gjon Nikoll Kazazi”.

“Mendoj se këtë vit do të jemi më prezentë se bashku edhe me drejtoreshën e re të organizojmë shumë aktivitete. E nisim në pranverë me Mitingun për çka të gjithë të rinjtë i ftojnë të bëhen pjesë klubit letrat dhe aktiviteteve tona pasi Gjakova ka kulturë e traditë dhe kjo besoj se do të vazhdohet nga ju, ashtu siç ne e kemi vazhduar nga poetët e tjerë”, u shpreh Berisha.

Ora letrare vijoi me leximin e poezive nga krijues si Muharrem Kurti, Vjollca Kuqi, Migena Arllati etj, si dhe nxënës të shkollave të mesme të komunës së Gjakovës. /radiogjakova/