100 vite nga rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Gjakovë
Sot e 100 vite më parë, në Gjakovë është rishpallur Pavarësia e Shqipërisë.
Sipas studiuesit dhe historianit të Instituti Albanologjik të Kosovës, Memli Krasniqi, kjo rishpallje e pavarësisë ishte bërë në kuadër të planeve dhe projekteve për një rregullim të ri të hartës politike, jo vetëm të pjesës evropiane por edhe të asaj botërore.
Të dhënat për këtë ngjarje të papërmendura publikisht deri para disa viteve, studiusi Krasniqi i kishte bërë publike gjatë një konference studimore, ndërsa si burim për këtë ngjarje kishte dokumente arkivore britanike.
“Në dokumentet arkivore britanike flitet se në fillim të vitit 1918 në qytetin e Gjakovës, me mbështetjen e Fuqive Qendrore, e në rend të parë të Perandorisë Austro-Hungareze, ishte bërë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, por pa theksuar protektoratin si në rastin e proklamatës së njëjtë bërë nga italianët”, ka thënë historiani Krasniqi.
Krasniqi ka treguar se në dokumentet angleze që posedon nuk ka të dhëna për datën shpalljes Pavarësisë në qytetin e Gjakovës. Sipas tij, vetëm thuhet se kjo ngjarje zyrtare u bë në ditën e nënshkrimit të paqes ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Ukrainës, që ishte bërë më 9 shkurt 1918.