.
Published On: Sun, Sep 29th, 2013

Masakra e Ponoshecit, ngjarja për të cilen historia flet pak

Share This
Tags

akademi-Gjakovë- Historiani Musa Ahmeti të dielen në Gjakovë ka shpalosur punen e tij 30-vjeçare për ndriçimin e Masakrës së Ponoshecit, ku u vranë e u masakruan nga pushtuesit serbo-malazez qindra veta e për të cilen ngjarje historia flet pak.

“113 persona, në mesin e tyre edhe shtatë gra, dy prej të cilave shtatëzëna, ishin vrarë e masakruar pasditen e 27 shtatorit 1913, nga forcat ushtria pushtuese e Malit të Zi, të udhëhequra nga Janko Veskovic . Ngjarja kishte ndodhur në Ponoshec të Gjakovës, fshat  i cili asokohe gëzonte statusin e komunës. Ponosheci ishte bërë rrafsh me tokë. Gratë e fëmijët e mbetur kishin arritur të iknin dhe të strehoheshin nëpër fshatra tjerë, e për t’u rikthyer dhe ringjallur fshatin vetëm 3 vjet më vonë. Nga tërë burrat e Ponoshecit, vetëm 15 kishin arritur të iknin nga pushkatimi dhe që të gjithë ata jo më të mëdhenjë se 15 vjeçar. 113 të vrarët ishin varrosur vetëm pas 3 ditësh nga burrat e fshatrave për rreth”, tregonte Ahmeti.

Profesori i Universitetit të Budapestit, Musa Ahmeti tha se informacionet për këtë ngjarje i ka nxjerrë nga bisedat disa orëshe të inqizuara me 3 pleq të Ponoshecit gjatë viteve të 80-ta, të cilët nuk jetojnë më si dhe të dhënave të gjetura në arkivin historik të Tiranës, atë të Cetinjes si dhe në shtypin evropian të kohës.

Duke qenë njohës i mirë i atyre ngjarjeve, Ahmeti ka folur edhe mbi arsyet e asaj masakre, e cila llogaritet ndër masakrat më të mëdha e më të tmerrme të atyre viteve.

“Mendohet se aryeja kryesore e masakrës ka qenë hakmarrja për vrasjen e dy ushtarëve malazias në Ponoshec me 22 shtator të atij viti, por në realitet e vërteta është krejt tjetër. Komandanti Veskovic, i njohur për krimet e tij në rajonin e Dukagjinit, kishte filluar në Ponoshec një fushatë për konvertimin e vendasve nga musliman në ortodoks sllav. Malaziasit kishin llogaritur se konvertimi i ponoshecasve do të kishte ndikim edhe në fshatrat tjerë. Por, ponoshecasit nuk e pranuan një gjë të tillë dhe si hakmarrje u vranë gati të gjithë dhe Ponosheci u bë rrafsh me tokë, me të vetmin qëllim që të shuhet në tërësi”, ka vazhduar historiani Ahmeti.

Ndërsa, historiani tjetër Bedri Muhadri ka treguar për masakrat tjera që janë bërë ato vite në gjithë komunën e Gjakovës. Ai ka thënë se në vitin kur ka ndodhur Masakra e Ponoshecit në Gjakovë janë vrarë, për një peirudhë të shkurtër kohore, rreth 600 burra.

“Shkrimet nga shtypi ndërkombëtar i kohës dhe të dhënat e vet malaziasve, dëshmojnë se ushtria malaziase ka bërë masakra të mëdha gjatë atyre ditëve në Gjakovë. Sipas shënimeve mbi 600 burra janë vrarë e masakruar në Gjakovë, vetëm për një periudhë të shkurtër disa mujore. Këtë e dëshmon në memoaret e tij edhe Tomici, sekretari i Nikola Pasicit, i cili tregon se gjatë rrugës nga Prizreni për në Pejë, në të dyja anët e rrugës ka parë fshatra të të djegur, ndërsa rrugët ishin mbushu me trupa të shqiptarëve të vrarë”, ka thënë Muhadri.

Kjo akademi për 100-vjetorin e masakrës së Ponoshecit është organizuar nga Shoqata “Drini” Gjakovë – Shkodër, kryetari i së cilës Halil Ahmeti ka kërkuar nga historianët që të punojnë më shumë në ndriçimin e këtyre ngjarjeve.

Ndryshe, për masakrën e Ponoshecit deri me tani është shkruar shumë pak. Të vetmit që e kanë përmendur në veprat e tyre janë Jusuf Buxhovi, Zekeria Cana dhe Gjokë Sokoli, por në akademi u tha se të tre këta kanë pasur mangësi të informacioneve, si pasojë e mos zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje./radiogjakova/