.
Published On: Sat, Apr 8th, 2017

18-vite nga beteja e Koshares

Share This
Tags

Të dielen bëhen 18 vjet nga beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, e cila është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, 18 vite më parë, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares më 9 prill të vitit 1999 mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100-vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Me rastin e shënimit te 18-vjetorit të betejës së Koshares, betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dielën, mbahet manifestimi tradicional “Ditët e shqipes 2017”.

Kështu, te dielën prej orës 12:00 në Kosharen legjendare mbahet tubimi përkujtimor ndërkohë që fillimisht prej orës 10:00 bëhen homazhe tek varret e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Manifestimi “Ditët e shqipes 2017”, organizohet në patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.