2017, Gjykata Themelore e Gjakovës zgjidh rreth 17 mijë lëndë
Gjykata Themelore e Gjakovës mbajti konferencën tradicionale të fundvitit. Të arriturat dhe punën e zyrtarëve të jurisprudencës në këtë institucion të drejtësisë në Gjakovë i ka prezantuar kryetari i gjykatës, Vaton Durguti.
Në raportimin e punës së gjykatës, kryetari Durguti, tha se në Gjakovë, kanë qenë të trashëguara 25415 lëndë, janë pranuar 12432 lëndë të reja, nga të cilat janë zgjidhur 16926, kurse në punë janë edhe 20917 lëndë.
Për penale për të mitur kanë qenë 21 lëndë të trashëguara, 43 janë raportuar për këtë vit, gjithsej 64 lëndë. Prej tyre janë zgjidhur 52.
Sa i përket lëndëve penale për krime të rënda, të trashëguara kanë qenë 141 lëndë, 112 janë raportuar këtë vit duke e çuar në total numrin e lëndëve në 253. Gjykata ka arritur të zgjidhë 159 lëndë.
Sa i përket lëndëve penale nga departamenti i përgjithshëm, të trashëguara kanë qenë 975 lëndë, për këtë vit janë pranuar 919 lëndë duke e çuar në total numrin e lëndëve në 1894. Prej tyre janë zgjidhur 965 lëndë.
Për Civile janë trashëguar 1188 lëndë, për këtë vit janë pranuar 741 lëndë, ndërsa kanë arritur të zgjidhen 941 lëndë nga gjithsej 1929 lëndë.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, ka folur edhe për lëndët të cilat kanë të bëjnë me ekzekutimin me burg si dhe lëndët të cilat në fokus kanë luftimin e korrupsionit.
Nga gjithsej 30 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë për vitin 2017, Gjykata Themelore e Gjakovës ka arritur që t’i kryejë 20 prej tyre.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, është ndër gjykata më efikase sa i përket kryerjes së rasteve të korrupsionit. Prandaj në këtë drejtim, mendoj që kemi arritur një rezultat mjaft të mirë, dhe këto 10 lëndët të cilat veç i përmendëm se na kanë mbetur pa u kryer, së shpejti në pjesën e parë të vitit 2018 besojmë se do të kryhen”, ka thënë Durguti.
Në konferencën vjetore të Gjykatës Themelore në Gjakovë me përfaqësues të medieve është bërë fjalë edhe për rezultatet vjetore të punës së Gjykatave Themelore në Malishevë dhe Rahovec, që u vlerësuan si më të dobëta se në Gjakovë./radiogjakova/