27 marsi i kobshëm për familjen Qerkezi
Gjakovë-Si sot 15 vite më parë, saktësisht më 27 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbo-malazeze në mënyrë të dhunshme hynë në shtëpinë e Halim Qerkezit dhe rrëmbyen 11 meshkuj.
Ndër ta, vetë zotin e shtëpisë Halim Qerkezin me katër djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin duke e lënë nënë Ferdonijen pas asnjë anëtarë të familjes, duke jetuar e vetme që nga ajo ditë makabre.
Në këtë aksion të pushtuesve sllav u rrëmbyen edhe edhe nipi i kësaj familjeje, Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga dhe bashkë me ta edhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrtezain si dhe Shpend e Fatos Jetishi, djemtë e Gani Jetishit.
Nga ky grup prej 11 vetash ende nuk dihet asgjë për tetë prej tyre, ndërsa familjet vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes së më të dashurve të tyre.
Shoqata “Thirrjet e nënave” ka kujtuar këtë datë si dhe iu është drejtuar institucioneve vendore e ndërkombëtare që të bëjnë më tepër presion ndaj shtetit serb në mënyrë që të tregojnë vendndodhjen dhe kthimin e menjëhershëm edhe të 1716 qytetarëve që ende konsiderohen të zhdukur./radiogjakova/