550-vjetori i vdekjes, ora e parë mësimore në shkollat e Gjakovës iu dedikua Skënderbeut
Ora e parë mësimore në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Gjakovës të mërkurën ka qenë më ndryshe, kjo pasi me vendim të Ministrisë së Arsimit, ajo i është kushtuar figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Pikërisht në këtë datë, 550 vite më parë, shqiptarët humbën prijësin e tyre më të madh me emrin e të cilit lidhet një epokë e tërë historike. Nxënësit kanë dëgjuar e bashkëbiseduar me vëmendje për këtë figurë të shquar të kombit tonë.
Arsimtarja e historisë në shkollën e mesme të ulët “Emin Duraku”, Magbule Katona, tha se është e rëndësishme që figurat e njohura historike të nderohen si në këtë rast.
“Ora e parë në shkollën tonë, ashtu si në të gjitha shkollat e tjera, i është kushtuar Gjergj Kastrioit. Më vjen mirë që është marrë një vendim i tillë, pasi kështu nderojmë figurat e njohura të kombit. Në rast e Skënderbeut op flasim për një strateg i cili ka ruajtur vlerat tona si popull, por edhe vlerat kulturore të gjithë Europës”, u shpreh Katona.
Sa i përket lëndës, arsimtarja Katona tha se falë internetit tashmë nxënësit mund të lexojnë edhe autorë të huaj që kanë shkruar për historinë tonë, prandaj shfaqet nevoja edhe për kabinetin kësaj lënde ku do të mund të shfaqeshin dokumentarë apo filma.
Ndryshe, ky vit është shpallur si viti i Skënderbeut nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës me rastin e shënimit të përvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Për këtë po organizohen aktivitete të ndryshme kulturore, si dhe është nxjerrë kalendari për këtë vit me motive për figurën e Skënderbeut./radiogjakova/