“60 vjet për 60 minuta”, Sevdai Radogoshi rrëfen jetën e tij përmes stand-up komedisë
Humoristi Sevdai Radogoshi të hënën mbrëma festoi ditëlindjen e tij të 60-të duke shfaqur stand-up komedinë “60 vjet për 60 minuta” në skenën e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.
Përmes kësaj shfaqje, publikut iu prezantua ana tjetër e Sevdai Radogoshit, larg skenës, përmes fotografive e rrëfimeve në stilin origjinal të humoristit.
Ai kishte përfshirë histori nga jeta duke përmendur ngjarje si fëmijë, pastaj rininë, punën e tij në thertore, eksperiencën në sport si boksier, historitë në ushtri dhe paraqitjet e para si humorist.
Mënyrat që Radogoshi kishte gjetur të përballonte situatat e ndryshme gjatë jetës së tij shkaktuan të qeshura në sallë.
Pas shfaqjes, Radogoshi ka thënë se këto momente i kujton me nostalgji, ndërsa u shpreh se ka lënë pa përmendur edhe shumë histori të tjera që uron t’i përmbledhë në një tjetër stand-up komedi.
“Janë momente që i kujtoj me nostalgji e që mu dha mundësia t’i ndaj me publikun. Kam lënë pa përmendur shumë momente të tjera sepse nuk doja të zgjasja më shumë se 60 minuta. Ndoshta do të kemi mundësi sërish që në një tjetër stand-up të përfshijmë edhe ato momente që kam lënë jashtë”, u shpreh Radogoshi.
Në përvjetorin e 60-të të lindjes, për bashkëpunim të ngushtë ndër vite, Radio Gjakova nderoi me mirënjohje të veçantë humoristin Sevdai Radogoshi.
Pas shfaqjes, Radogoshi festoi me miq ditëlindjen e tij ndërsa në koktejin e organizuar morën pjesë shumë personalitete të njohura të fushave të ndryshme.
Aty mori edhe dhurata, ku ndër to edhe një makinë nga një kompani që operon në Gjermani e që ka mbështetur së fundmi projektet artistike të Radogoshit./radiogjakova/