Shqipëria dekoron pesë burra të Gjakovës dhe Malësisë
Gjakovë- Pas firmosjes për dekorim nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, pasardhës të pesë burrave të shquar të kombit nga Gjakova dhe Malësia e saj (Tropoja), të premtën i kanë pranuar dekoratat të cilat në emër të presidentit Nishani i ka ndarë kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.
Për kontributin e dhënë në luftën për liri dhe pavarësi të popullit shqiptarë, Presidenti Nishani me dekoratën “Dëshmor i atdheut” nderoi Musa Sheh Zaden dhe Avdullah Hoxhën. Ndërkaq, me vendim të Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami me mirënjohjen për Kontribut të Shquar u nderuan: Shaban Binaku, Bajram Daklani dhe Sulejman Batusha.
“Janë këta burra që në etapa të ndryshme kohore kanë luftuar dhe sakrifikuar me jetëra të tyre për lirinë e atdheut, për territor dhe gjuhë të lirë dhe mendojmë se shteti i Republikës së Shqipërisë me të drejtë ka nderuar edhe këta bashkëkombas tanë, si burra meritor në përpjekje për komb dhe shtet” ka thënë në fjalën e rastit kryetari Pal Lekaj, që për këto dekorata i është shprehur mirënjohës gjithë kontribuesve.
Në emër të këtyre familjeve të dekoruara ka falënderuar Shejh Musa Shehu nga Teqja e Madhe e Gjakovës./radiogjakova/