.
Published On: Mon, Oct 21st, 2013

Gjakova prin në respektimin e Ligjit Kundër Duhanit

Share This
Tags

pirja-e-duhanitGjakovë/Prishtinë- Respektimi i Ligjit Anti Duhan që ka hyrë në fuqi pesë muaj më parë, ka befasuar për të mirë të gjithë ata që asokohe kanë qenë skeptikë se një gjë e tillë mund të ndodhë. Kjo është konstatuar gjatë një debati të mbajtur në Gjakovë, e në të cilin kjo komunë është vlerësuar dukshëm më lart se të tjerat për respektimin e këtij ligji.

“Kemi bindjen, por edhe argumente, se Gjakova është komuna që më së shumti në Kosovë e ka respektuar këtë ligj. Kjo më së miri vërehet në dasma e ahengje, në të cilat dasmorët, përkundër disponimit të krijuar nuk konsumojnë duhan në objekte të mbyllura”, ka thënë Marjan Markaj, inspektor komunal sanitar.

E të befasuar me këtë respektim në masë të madhe të ligjit, janë shprehur edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, institucion i cili edhe e ka sponzoruar ligjin.

“Është e vërtetë se është pritur me skepticizëm, por përgatitjet shumë të mira paraprake dhe vetëdijesimi i popullatës se, në fund të fundit, ky ligj është për të mirën e tyre, mund të thuhet se kanë pasur ndikim shumë pozitiv. Megjithatë, tash, të gjithë ne që kujdesemi për respektimin e këtij ligji, jemi para një sprove shumë serioze, pasi vlerësojmë se me ftohjen e motit, kur njerëzit zakonisht futën në objekte të mbyllura, rriten gjasat që ky ligj të shkelet”, ka thënë Faik Hoti, udhëheqës i zyrës për komunikim me opinionin në Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor sanitar i Kosovës, ka shtuar se megjithatë, bindja e qytetarëve për zbatimin e këtij ligji ka qenë njëfarë sfide për institucionet e vendit.

“Duhet pranuar se kemi pasur disa sfida, siç është largimi i të gjitha panove reklamuese të duhanit të ekspozuara në vende publike, posaçërisht bri rrugëve më të frekuentuara, pastaj bindja e popullatës që respektimi i këtij ligji nuk është diç vullnetare, por është e obligueshme dhe sfida të tjera. Duhet përkujtuar se ky ligj është ndër më të avancuarit e këtij lloji në Ballkan, madje edhe më gjerë. Çuditërisht, që në javët e para të aplikimit të tij është arritur që ai të respektohet në 80-90% të objekteve afariste. Si duket, kjo krijoi vetëkënaqësi kështu që ky nivel ra në 60-70%! Fal intensifikimit të angazhimeve, kjo rënie është tejkalua”, ka thënë ai.

Tërshnjaku ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe pesë mujore, për mosrespektim të ligjit, janë shqiptuar dënime me të holla për 12 subjekte afariste dhe 4 persona fizikë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, të prezentuara në këtë debar nga Skënder Syla, në Kosovë llogaritët se mesatarisht vdesin rreth 7.500 veta në vit. Prej tyre, rreth 2.000 vdekje llogaritët se janë si pasojë e sëmundjeve që mund të vijnë nga konsumimi i duhanit./zeri/