Harrohet përvjetori i vdekjes së Anton Çettës
Gjakovë- Zgjedhjet e 3 nëntorit lanë në hije përvjetorin e vdekjes së një gjakovari të madh,njeriut që e mundi hakmarrjen, Anton Çettës.
Shkrimtari, profesori i letërsisë dhe patrioti shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë mbylli sytë përgjithmonë 18 vite më parë, më 3 nëntor 1995 në Prishtinë.
Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe për këtë ai kishte fituar respektin dhe dashurinë e popullit.
“Plaku i urtë”, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Në vitin 1992 ai bëhet dhe deputet me LDK-në.
Asambleistët gjakovarë në muajin maj të këtij viti miratuan një vendim për ngritjen e busteve për Anton Çetës, Fadil Hoxhën dhe Nesemi Dervishdanen.
Pas afro shtate muajsh, vetëm për Dervishdanen është respektuar vendimi, ndërsa është në pritje ngritja e busteve për Çetën dhe Hoxhen./radiogjakova/