Fillon mësimi në SHF “Mustafa Bakija”
Gjakovë- Pas më shumë se 2 muaj të fillimit të vitit të ri shkollor 2013/2014, nxënësit e Shkollës Fillore “Mustafa Bakija” të Gjakovës, të marten kanë nisur mësimet në vatrën e tyre shkollore.
Si dihet tashmë, për shkak të rë renovimit të godinës së kësaj shkolle nga ana e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, fillimi i mësimit në këtë shkollë fillimisht ishte shtyrë për një kohë e më pastaj nxënësit nga klasa e dytë deri në të nëntën ishin bartur në shkollën fillore “Mazllom Këpuska” ndërkaq nxënësit e klasave të para në shkollën fillore “Yll Morina’.
Si jemi njoftuar nga drejtoresha e Drejtorisë komunale për Arsim në Gjakovë, Silvana Haxhikadrija, rreth 800 nxënës të Shkollës Fillore “Mustafa Bakija” nga e martja janë rikthyer në bankat e tyre shkollore e së bashku me ta edhe 50 mësimdhënës dhe punëtorë të personelit.
Sipas drejtoreshës Haxhikadrija, një Komision i drejtorisë së bashku me ekspertë të Komisionit Evropian, dite më pare kanë inspektuar punimet e kryera dhe kanë vlerësuar lartë cilësinë e tyre. E gjithë kjo fletë se tash e tutje, nxënësit e kësaj qendre shkollore do të punojnë në kushte shumë më të mira se deri më tash./radiogjakova/