.
Published On: Fri, Nov 8th, 2013

“Çabrati” apelon qytetarët dhe bizneset: Mos i hudhni mbeturinat në vende joadekuate

Share This
Tags

cabrati-objektiGjakovë- Hedhja e mbeturinave vend e pa vend dhe stërmbushja e kontejnerëve anë e kënd Gjakovës, rrjedhimisht edhe grumbullimi i tyre skaj kontejnerëve, është një dukuri e vazhdueshme dhe mjaft shqetësuese për qytetarët e Gjakovës.

Por, duket se janë vetë disa prej këtyre qytetarëve, shkaktarët kryesorë të kësaj gjendje të keqe. Të pakten kështu thonë në kompaninë Rajonale të Pastrimit “Çabrati”. Zyrtarët e kësaj kompanie tregojnë se po punojnë edhe me dy ndërrime e edhe gjatë natës që t’i largojnë mbeturinat nga qyteti, por ende ka mjaft qytetarë të pa ndërgjegjshëm që po vazhdojnë t’i hedhin mbeturinat e tyre skaj kontejnerëve.

Sipas tyre, rol të madh në këtë dukuri negative po luajnë edhe restorantet dhe bizneset tjera si kafiteritë e mishtoret, të cilat gjatë orëve të mbrëmjes hedhin mbeturina organike vend e pa vend, duke krijuar kështu kontejnerë të stërmbushur dhe deponi të egra në shumë vende në qendër të qytetit.

Zyrtarët e “Çabratit”, apelojnë tek qytetarët e në veçanti tek këto biznese që mbeturinat e tyre të mos i hedhin jashtë kontejnerëve, por ta bëjnë grumbullimin e tyre dhe të kontaktojnë me kompaninë për grumbullimin e mbeturinave.

Ata gjithashtu apelojnë edhe për pagesën e obligimeve, rrjedhimisht borxheve që qytetarët kanë ndaj kompanisë, sepse vetëm me pagesë të rregullt do të lehtësohet puna dhe aktiviteti i kompanisë dhe do të garantohet një qytet më i pastër./radiogjakova/