.
Published On: Wed, Nov 13th, 2013

Drejtorët e Qeverisë lokale jashtë Asamblesë

Share This
Tags

votues-Gjakovë- Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 3 nëntorit në Gjakovë, kanë nxjerr edhe disa detale interesante. Njëri prej këtyre, është fakti se pjesa dërmuese e qeverisë lokale nuk kanë fituar votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Asamblesë komunale.

Në listat zgjedhore të AAK-së dhe PSHDK-së kanë marrë pjesë 9 nga 12 drejtorë të drejtorive komunale që kanë qeverisur në mandatin e kaluar, por vetëm 2 prej tyre kanë arritur të fitojnë vota të mjaftueshme dhe të përfaqësohen në Asamblenë komunale.

Vetëm Qazim Mehmeti nga AAK-ja dhe Anton Shala nga PSHDK-ja kanë arritur që të grumbullojnë mjaftueshëm vota, ndërsa pjesa tjetër kanë dështuar që ta bëjnë këtë. Bile, disa prej këtyre drejtorëve kanë marrë më pak se 100 vota, sasi zhgënjyese kjo karshi numrit të nevojshëm për të hyrë në organin ligjvënës lokal.

Risi tjetër e këtyre zgjedhjeve, bazuar në rezultatet preliminare, është fakti se për herë të parë që nga paslufta, komunitetet pakicë nuk do të përfaqësohen në Asamblenë komunale me asnjë këshilltar. Këto komunitete në zgjedhjet e 3 nëntorit kanë pas mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre nga subjekti politik IRDK, por duket se ata kanë vendosur të votojnë për kandidatët e komunitetit shumicë.

Nga rreth 4000 votues komunitar, IRDK-ja nuk ka marrë më shumë se 450 vota. Sipas një deklarate që kryetari i IRDK-së Bislim Hoti e ka dhënë për gazetën Koha Ditore, pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk janë pajtuar me koalicionin lokal që IRDK-ja e ka bërë me AAK-në, prandaj kanë vendosur që t’i votojnë kandidatët e partive tjera, kryesisht ata të AKR-së./radiogjakova/