Përdoruesit e drogës në rritje
Gjakovë- Viteve të fundit në vendin tonë, abuzimi me substanca narkotike po paraqet pasoja serioze të cilat rrezikojnë shëndetin e rinisë, familjes dhe shoqërisë në tërësi.
Si rrjedhojë e kësaj kanë filluar të shfaqën një sërë problemesh shoqërore dhe dukuri negative tek të rinjtë, që nga sjelljet delikuente dhe asociale, e deri tek paraqitja e veprave të ndryshme penale.
Sipas statistikave policore të këtyre tri viteve të fundit, rezulton se ka pasur shtim të numrit të rasteve të raportuara të përdorimit dhe shpërndarjes së drogës si dhe të numrit të personave të arrestuar, ndërkohë që sasia e konfiskuar e substancave narkotike është në përqindje më të larta krahasuar me vitet paraprake.
Në bazë të këtyre të dhënave, kjo po bëhet shqetësuese dhe po kthehet në dukuri për moshat e reja. Shfrytëzimi apo përdorimi i drogës dhe pasojat e saja, janë dukuri komplekse që kërkojnë angazhim të të gjitha institucioneve dhe të shoqërisë në drejtim të qasjes dhe kundërvënies në mënyrë strategjike dhe programore rreth parandalimit të këtyre dukurive.
Nisur nga kjo Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventiva e Kosovës, kohë më pare në Gjakovë ka realizuar projektin me titull “Thuaj jo substancave narkotike”, në kuadër të të cilit janë mbajtur edhe ligjërata me nxënës të shkollave të mesme, mirëpo e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme, meqë për të realizuar një synim të tillë lypset një impenjim kompleks i të gjithë faktorëve relevant./radiogjakova/










