Kusari-Lila viziton kullen e familjes Vokshi
Gjakovë- Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila ka vizituar kullën nën restaurim të familjes Vokshi, e cila për breza të tërë ka nxjerur emra eminent të kësaj familje si Sylejman Vokshi, Asim Vokshi, Bije Vokshi, Dergut Vokshi e shumë të tjerë.
Gjatë vizitës ajo është shprehur e nderuar që po e viziton këtë kullë, e cila sipas saj është vlerë që e tregon historinë dhe patriotizmin jo vetëm të familjes Vokshi, e cila në breza ka dhënë 22 luftëtar e heronjë, por edhe historinë dhe kontributin e Gjakovës për liri e pavarësi.
Kusari–Lila ka shtuar se kjo kullë, bashkë edhe me varrin e Sulejman Vokshit dhe monumente tjera të këtij lloji, duhet të jenë pjesë e hartës historike, e cila është shumë e pasur dhe i bën krenar banorët e komunës së Gjakovës.
Ajo ka shtuar se Ministria e Kulturës duhet ta përfundojë projektin e nisur për renovimin e kësaj kulle, megjithatë, ka premtuar se nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë së shpejti, ajo si kryetare e ardhshme e Gjakovës do të angazhohet maksimalisht që jo vetëm kjo kullë por edhe objekte tjera të këtij lloji të kenë trajtimin dhe vendin e merituar.
Gjatë kësaj vizite, Kusari – Lila është shoqëruar nga kryefamiljari Shefqet Vokshi, i cili për së afërmi e ka njoftuar atë me historinë dhe aktivitetin ndër vite të familjes Vokshi./radiogjakova/










