Haxhikadria: Kemi filluar furnizimin e shkollave me dru
Gjakovë- Në kuadër të përpjekjeve për sigurimin e cilësisë së ngrohjes në shkollat e komunës së Gjakovës, Drejtoria komunale për Arsim të marten ka filluar furnizimin e godinave shkollore me dru.
Si jemi informuar nga Silvana Haxhikadria, drejtoresh, edhe pse, sipas saj, kanë pasur rezerva nga viti i kaluar, nga dita e marte ka nisur furnizimi i 32 shkollave në komunën e Gjakovës me një sasi të caktuar të druve. Bëhet fjalë për ato shkolla të cilat gjatë stinës së dimrit ngrohen me këtë lëndë djegëse.
Ndryshe, gjatë tre ditëve të kaluara problem kanë pas shkollat të cilat ngrohën me energji termike nga Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë, e cila kishte ndërprerë furnizimin me ngrohje për çka pa ngrohje, pos shkollave kanë mbet edhe institucione të rëndësishme si spitali, çerdhet e fëmijëve, biblioteka e qytetit, e tjerë.
Si jemi informuar nga Astrit Dema, drejtor i ngrohtores në Gjakovë, kjo është si pasojë e një defekti i cili tashmë është sanuar dhe sipas tij, që nga e mërkura do të rikthehet në funksion ngrohja nga Ngrohtorja e Qytetit në komunën e Gjakovës./radiogjakova/