Vritet një 18-vjeçar, plagoset një tjetër
Gjakovë- Të hënën pasdite në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë, në brendësi të një autobusi ndërurban është vrarë një i ri i moshës 18-vjeçare dhe një tjetër është plagosur lehtë.
Viktima me inicialet V.K. nga Dallashaj i komunës së Gjakovës është goditur fatalisht me një plumb në krahërorin e majtë duke i depërtuar në brendësi të trupit dhe dëmtuar organet e brendshme. Për pasojë ka marrë lëndime vdekjeprurëse.
Ngjarja që ka ndodhur rreth orës 14:00 është konirmuar nga komandanti i Stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe Kryeprokurorja Shpresa Bakija. Kjo e fundit ka dhënë edhe shkaqet e mundshme të këtij aksidenti tragjik.
“Nga informacionet e para që kemi, mund të themi se deri tek incidenti ka ardhur pas një fjalosje që ka ndodhur më herët, ndërsa rasti konkret ka ndodhur brenda autobusit. Mendohet se viktima e këtij rasti nuk ka qenë caku kryesor i sulmuesit apo sulmuesve, por caku ka qenë shoku i tij që tashmë është i plagosur, jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet si dëshmitar, bashkë edhe me disa dëshmitarë tjerë”, ka thënë kryeprokurorja Bakija./radiogjakova/