Mimoza fton gjakovarët t’i dërgojnë CV-të
Gjakovë- Kryetarja e Gjakovës ka vendosur të “hap dyert” e Kuvendit Komunal për gjithë ata që duan të kontribojnë për Gjakovën. Ajo ka shkruar në “Facebook” se gjakovarët duhet të ndjekin shembullin e saj, të kthehen ne vendlindje dhe ta bëjnë ndryshimin e kërkuar një realitet.
“Puna në institucionet publike mund të mos jetë e paguar ashtu sikur jeni mësuar në institucionet ndërkombëtare ose sektorin privat, por është kontributi më i madh që ndonjëherë mund të bëni për vendlindjen”, shkruan Kusari-Lila.
Duke ftuar gjakovarët që veprojnë në Prishtinë, Tiranë dhe gjithandej, kryetarja është shprehur se mundesitë janë të hapura prej pozitave të drejtorëve, këshilltarëve apo dhe thjesht për t’i prezantuar ata në ndonjë institucion apo përfaqësi e cila do hapet në Gjakovë.
“Konkretisht, nëse keni pak vullnet, më dërgoni CV-në tuaj dhe më tregoni ku mendoni se do të ishit më të dobishëm. Paraqituni dhe besoni në ndryshimin pozitiv të komunës tonë. Ende më mirë, bëhuni edhe ju pjesë e ndryshimit”, vazhdon Kusari-Lila.
Kjo është hera e parë që një kryetar i komunës së Gjakovës bën thirrje për të aplikuar për drejtor, pasi duke qenë një post politik ajo i është besuar figurave më të rëndësishme të partisë në pushtet./radiogjakova/