.
Published On: Tue, Dec 24th, 2013

Pezullohen vendimet dhe tenderët e pas 3 nëntorit

Share This
Tags

komuna e gjakoves - ndertesa-Gjakovë – Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari–Lila ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe shpalljeve të tenderëve që janë bërë pas datës 3 nëntor.

Siç kanë bërë të ditur burime afër kryetares Kusari-Lila, dyshohet se pas kësaj date e deri në ditët e fundit të qeverisjes, qeveria e kaluar lokale ka lëshuar vendime dhe ka shpallur tender në mënyrë joligjore, duke punësuar militant partiak dhe duke u bërë favore kompanive të afërta me qeverisjen e kaluar.

Njëri ndër projektet që është stopuar qysh në fillim është ai për renovimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në të cilën punimet kanë filluar pas datës 1 Dhjetor, gjegjësisht pas përfundimit të zgjedhjeve të balotazhit.

I njëjti burim ka bërë të ditur se pas marrjes së përgjegjësive nga kryetarja Kusari–Lila, është hasur edhe në një mori vendimesh për zgjatje të kontratave për disa zyrtarë komunal, konkretisht shërbyes civil, kontratat e të cilëve kanë qenë në skadencë.

Mendohet se të gjitha këto kontrata janë nënshkruar me datën 6 dhjetor dhe si të tilla duket se do të jenë objekt i rishqyrtimit./radiogjakova/