Vulin: Nuk e di kujt i penguam në Gjakovë
Graçanicë- Ministri serb, Aleksander Vulin, të cilit iu bllokua hyrja për në Gjakovë, së bashku me pelegrinët serbë që kishin ardhur për ta vizituat kishën në Gjakovë, ka thënë se kjo tregon që Kosovën e qeverisë “aparteidi i fundit në Evropë”.
Vulin ju ka treguar gazetarëve në Graçanicë se edhe atij, sikurse edhe serbëve tjerë të zhvendosur nga Gjakova, i është ndaluar hyrja dhe iu është pamundësuar vizita në kishën në Gjakovë.
“Në ditën e sotme është dëshmuar se aparteidi ende qeverisë në këto hapësira për serbët. Serbët janë populli i fundit në Evropë të cilët në ditën para Krishtlindjeve nuk mund të shkojnë në kishat e tyre”, ka thënë Vulin për mediat serbe, duke shtuar se ky është aparteidi i fundit në Evropë, transmeton Koha.net.
Vulin, për ngjarjet e sotme, ka akuzuar përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. Ai ka pyetur se kujt i ka penguar pjesëmarrja e më pak se 100 serbëve të zhvendosur të Gjakovës, të cilët kanë ardhur vetëm ta vizitojnë kishën.
Ai ka bërë me dije se njëherë i është lejuar vizita së bashku me serbët e zhvendosur, mirëpo ky vendim është tërhequr mbrëmë. Ai ka thënë se kjo nuk çon në normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë.
“Serbët sot janë gjuajtur me gurë në Gjakovë, mua më është ndaluar madje të jem edhe me ta”, ka thënë Vulin, i cili ka shtuar se dëshiron të shkojë në Deçan e të bisedojë me gjakovarët.
Vulin i ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos i ndajnë viktimat në të tyre dhe tanë dhe të lejojnë kthimin e të zhvendosurve.