Befason për të keq KEDS-i
Gjakovë- Qytetarët e komunës së Gjakovës këto ditë janë befasuar për të keq, teksa kanë pranuar faturat e energjisë elektrike, të shpërndara nga distrikti i KEDS-it në Gjakovë.
Ndryshe nga muajt paraprak, faturat për muajin dhjetor kanë qenë dukshëm më të larta dhe kjo rritje padyshim që e rëndon edhe më shumë xhepin e gjakovarëve, shumica prej të cilëve edhe ashtu jetojnë me probleme financiare.
Zyrtarë të KEDS-it në Prishtinë patën paralajmëruar një ngritje të çmimit të energjisë elektrike për rreth 9 përqind, e cila pati filluar të aplikohej në muajin qershor, por duket se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në muajin dhjetor, ndonëse zyrtarisht kjo ende nuk është bërë e ditur.
Përveç qytetarëve, me këtë ngritje të çmimit të energjisë elektrike janë befasuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se kjo ngritje e energjisë elektrike do të ketë ndikim negativ si në biznes, ashtu edhe te standardi jetësor i qytetarëve./radiogjakova/