Nxënësit e V-5 vazhdojnë me vizita
Gjakovë- Nxënësit e klases V-5 të shkollës “Kelmend Rizvanolli” kanë qenë shumë të zënë me takime kohëve të fundit, ata kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave po për këto takime. Të mërkuren trokiten në dyert e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Fillimisht, drejtoresha e kësaj shkolle, Valma Kamishi Zeka ka uruar kryetaren e komunës për fitoren, si dhe ka falënderuar për mundësinë e dhënë nxënësve të kësaj klase për vizitën e realizuar ditë më parë tek shkrimtari i madh shqiptar, Dritëro Agolli.
Në fjalën e saj, kryetarja Kusari-Lila ka thënë se e ndjen një obligim institucional, moral dhe njerëzor që fëmijëve t’u krijohen mundësi për përvoja sa më të shumta. “Vizita që ju i bëtë shkrimtarit të madh Dritëro Agollit, ka qenë si shpërblim për letrën që i’a dërguat atij për festat e fundvitit, andaj unë ju inkurajoj që të vazhdoni me idetë e juaja kreative dhe gjithmonë ta keni të qartë se çdo gjë është e mundur”, u tha nxënësve kryetarja.
Mësuesja kujdestare e klasës V-1, Venera Caka tha se vizita tek shkrimtari Dritëro Agolli ka qenë përvoja e parë për nxënësit e kësaj shkolle./radiogjakova/