Kusari-Lila pret shefin e IOM-it, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit
Gjakovë- Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka pritur shefin e misionit të IOM-it për Kosovë, Jorge Baca, me të cilin është bashkëbiseduar për mundësitë e aplikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe kësaj organizate ndërkombëtare për migrim e cila është implementuese e disa projekteve me rëndësi kapitale në Kosovë.
Studimi i fizibilitetit për dy zonat ekonomike, ku njëra prej tyre është Gjakova, pastaj një projekt tjetër kapital dhe me kosto të lartë me fonde të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë dhe të Komisionit Evropian që implementohet përmes IOM-it, ku ndahen grante për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ka qenë ndër tjerash fokusimi në këtë takim.
Nga kryetarja Mimoza Kusari Lila, njiherit është dhënë propozimi që para subjekteve afariste të komunës së Gjakovës të bëhet një prezentim i projekteve nga IOM-i në mënyrë që bizneset ta kenë të qartë mënyrën dhe mundësitë e aplikimit. Duke ndaluar tek bizneset, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka pohuar se do ta shfrytëzojë tërë kapacitetin, mekanizmat dhe mundësitë që posedon në dobi të firmave nga komuna të cilën e udhëheq.
Gjithashtu, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se javën tjetër do të udhëtojë zyrtarisht për në Zvicër ku do të ketë takim me diasporën gjakovare në mënyrë që të nxis interesimin për investime në komunën prej nga vijnë dhe janë, e njëkohësisht të merret edhe iniciativa për hapjen e një zyre ndërlidhëse biznesore për Gjakovën.
Përsa i përket fazës së dytë të projektit të IOM-it “Kosova e Bukur” ku deri me datë 28 shkurt pranohen projektet, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se Komuna e Gjakovës është në përgaditje përfundimtare të tri projekteve me të cilat do të aplilkojë. Shefi i IOM-it për Kosovë, Jorge Baca është shprehur i kënaqur me këtë takim dhe njiherit është shprehur për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe IOM-it.