.
Published On: Mon, Feb 10th, 2014

Komuna projekt për një ujëmbledhës të ri

Share This
Tags

radoniqi-liqen

Gjakovë- Qeveria komunale në Gjakovë, është në kompletim të projektit për ndërtimin e një dige, përkatësisht ujëmbledhësi në afërsi të fshatrave Morinë dhe Ponoshec. Bëhet fjalë për një projekt ideor të përpiluar në vitin 1972 nga një institut i Beogradit, projekt ky i cili është riaktualizuar në vitit 2001-2002.

Në ndërkohë, me ardhjen e qeverisë së re komunale në Gjakovë, me iniciativë të kryetares së komunës, pas vizitës në teren, ekspertë të kësaj fushe, kanë nisur hartimin e projektit përfundimtarë i cili do të prezantohet në konferencën e donatorëve për qytetin e Gjakovës, e cila do të mbahet kah mesi i muajit të ardhshëm.

Si jemi njoftuar nga Ndue Muqaj, anëtar i Bordit të Drejtorëve në komunën tonë, i cili si drejtor i dikurshëm i Drejtorisë komunale të Bujqësisë në vitet 2001-2005, ka qenë edhe pjesë e kësaj iniciative, ujëmbledhësi në Morinë përkatësisht Ponoshec do të shërbej për tri qëllime. E para është ndërtimi i një fabrike të ujit të pijes, e dyta sigurimi i ujit për ujitje për 27 fshatra, si dhe ndërtimi i një hidrocentrali.

Sipas Muqajt edhe pse nuk janë bërë ende llogaritje të sakta zyrtare, ndërtimi i këtij ujëmbledhësi do të ketë një kosto mbi 500 milion euro dhe nisur nga kjo, gjithçka është e varur nga gatishmëria e donatorëve ndërkombëtarë për të mbështetur financiarisht këtë projekt./radiogjakova/