PDK-ja e Hasit me nëndegë edhe në Pnish
Gjakovë- Pas pavarësimit të saj nga Gjakova, dega e PDK-së në Has po vazhdon t’i ngrisë strukturat e veta në këtë regjion, duke i themeluar nëndegës dhe duke i shtuar radhët brenda kësaj partie. Në kuadër të kësaj, mbrëmë është themeluar nëndega në fshatin Pnish, duke e ngritur kështu në 10 numrin e këtyre nëndegëve.
Me këtë rast, kryetari i degës së PDK-së në Has, njëkohësisht nënkryetari i komunës së Gjakovës Ramadan Hoti, ka thënë se kjo parti po gjene mbështetje të fuqishme në këtë regjion, gjë që dëshmon seriozitetin dhe gatishmërinë e degës së PDK-së që ta udhëheqë Hasin në një të ardhme të afërt, pasi ky regjion do të shndërrohet në komunë.
Gjatë këtij aktiviteti, dolën në pah edhe shumë probleme me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj ane, të cilët thanë se presin mbështetje nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila dhe nënkryetari Ramadan Hoti, pasi siç potencuan banorët, regjioni i Hasit ka qenë i harruar në tërësi nga qeverisja e kaluar lokale.
Lidhur me këtë, Hoti dhe zyrtarë tjerë të PDK-së, i inkurajuan hasjanët që të dorëzojnë projekte në komunën e Gjakovës, përmes të cilave do tu mundësohen investime më të mëdha dhe zgjidhje të shumë problemeve për ta. Ndryshe, zyrtarë të PDK-së, kanë bërë të ditur se pas nëndegës së Pnishit, në këtë regjion pritet që së shpejti të themelohen edhe disa nëndegë tjera./radiogjakova/